Drejtori i Divizionit për Hetimin e Krimit në Policinë e Kosovës, Fehmi Hoti, i ftuar në emisionin “Puls” në KTV, ka treguar ekskluzivisht se sa kryetarë të komunave, sa ministra e sa zyrtarë tjerë të lartë institucionalë po hetohen për korrupsion dhe krim të organizuar.
Hoti tha se këtë vit ka pasur më shumë arrestime dhe hetime nga institucionet e shtetit.
“Për herë të parë dua t’ju konfirmoj se për vitin 2016, për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe korrupsion, janë duke u hetuar 256 persona zyrtarë të lartë duke filluar me 17 kryetarë të komunave, ministra, zv/ministra, sekretarë të përgjithshëm, kryeshefa ekzekutivë, drejtorë të drejtorive të komunave, drejtorë të ndërmarrjeve publike të cilët po hetohen për veprën penale të korrupsionit”, ka thënë Hoti në “Puls”.
Ai pohoi gjithashtu se edhe për pastrim parash janë duke u hetuar 207 persona. Sa i përket privatizimit, drejtori Hoti konfirmoi se janë duke u hetuar 6 raste.
“Inteligjenca e Policisë së Kosovës i ka analizuar dhe ka ardhur në përfundim dhe jemi duke hetuar/zbuluar 21 grupe kriminale të fajdexhinjve në regjione të ndryshme të Kosovës. Do shihni rezultate së shpejti në këtë fushë”, pohoi ai.