Jahmir Hyka, mesfushori i Lucernës, në një intervistë të botuar në “Panorama Sport”, tregon se ka përmbyllur një sezon shumë pozitiv me ekipin e tij në Zvicër dhe është shumë i kënaqur.
Mesfushori shtatshkurtër ka luajtur rregullisht, sidomos në pjesën e dytë të sezonit ku ai me paraqitjet e tij ndihmoi skuadrën që të siguronte pjesëmarrjen në Europë.Por për Hykën ‘qershia mbi tortë’ do të ishte pjesëmarrja në kampionatin europian “Francë 2016”:
“Pjesëmarrja në Europian do të ishte diçka e jashtëzakonshme. Gjithsesi e dija më parë që edhe nëse fitoja ‘Topin e Artë’ nuk do të ftohesha në Kombëtare. Megjithatë nuk është momenti për të bërë polemika dhe duhet ta lëmë trajnerin të qetë”, shprehet Hyka, i cili thekson më tej se paraqitja e tij në kampionatin zviceran nuk do të ndikonte aspak te De Biazi për ta thirrur atë, pasi nuk ka patur në asnjë moment asnjë lloj interesimi.
Sipas Hykës nuk ka asnjë arsye apo justifikim se përse nuk është kontaktuar, por ai sërish vë në plan të parë ecurinë e Kombetares dhe nuk dëshiron të bëjë aspak polemika.
“Nuk është e vlefshme për të diskutuar tani. Trajneri i ka bërë zgjedhjet dhe është e rëndësishme të presim rezultatet e Kombëtares. Shpresoj që të kemi rezultatet pozitive, pasi Kombëtarja është mbi të gjithë”.
Hyka tregon se prej një viti nuk ka asnjë lloj komunikimi me De Biazin, por ka mbajtur kontakte të shpeshta me Tramexanin që interesohej për paraqitjen e tij, ndërkohë i pyetur për listën e lojtarëve të ftuar në europian.
Hyka thekson se duhen respektuar vendimet e trajnerit dhe nuk kërkon t’i gjykojë ato. Mesfushori pyetet edhe mbi përfshirjen e Veselit në listë: “Zgjedhjet nuk duhet të gjykohen dhe diskutohen ka shumë.
Trajneri mban përgjegjësi për to. Veselin e njoh personalisht dhe është një futbollist me cilësi shumë të mira. Ka luajtur rregullisht me Luganon dhe gjithashtu di të them se është një djalë shumë i mirë”.
Hyka nuk mund të mos pyetet për Zvicrën, e cila sipas tij nuk po kalon një moment të mirë , kjo edhe për shkak se titullarët e tyre nuk po luajnë rregullisht me klubet ku bëjnë pjesë.
Për Hykën Sahqiri e Xhaka janë pikat më të forta të zviceranëve, ndërkohë që ai mendon se ata “çalojnë” në mbrojtje dhe mund t’i vëmë në vështirësi. Gjithashtu ai bën një parashikim për rezultatet e Shqipërisë në grup, teksa thotë se ndaj Zvicrës mund të marrin një pikë e të fitojnë ndaj Rumanisë, edhe pse dëshira e tij prej tifozi është për fitore me këto dy skuadra dhe një barazim kundër Francës.
Europianin Hyka do ta ndjekë nga televizori, edhe pse është ftuar nga FSHF për të qenë në stadium. Pas një sezoni të gjatë ai kërkon të pushojë me familjen, e më pas të mendojë për sezonin e ardhshëm me Lucernën ku ka edhe një vit kontratë.