Janë mbledhur përpara ndërtesës së Kongresit gjysmë të zhveshura, për të protestuar kundër masave ndaj abortit, por tubueset në kryeqytetin e Perusë, Lima, nuk janë lejuar nga policia ta vazhdojnë gjatë nismën e tyre.
Forcat e rendit përdorën gazin lotsjellës për shpërndarjen e grave që hidhnin edhe parulla kundër kandidates presidenciale, Keiko Fujimori. Në Kongres po diskutohej kodi penal dhe një prej propozimeve të tij, që parashikon 50 ditë në shërbim të komunitetit për gratë që kryejnë abort, raporton tch.
Sa për Fujimorin, tubueset – siç thonë dhe vet, – e konsiderojnë atë bashkëpunëtore në krimet e të atit dhe nuk mendojnë se ajo i përfaqëson femrat peruane.
40-vjeçarja doli e para në raundin fillestar të zgjedhjeve presidenciale në muajin prill, por përballet me kundërshtinë e ashpër të asaj pjese të popullatës që bart urrejtje për babain e saj, Alberto Fujimori, i dënuar me 25 vite burg për korrupsion dhe abuzime me të drejtat e njeriut gjatë sundimit të tij autoritar.