Gjykata Kushtetuese i ka mbyllur përfundimisht Marjan Rrokut çdo mundësi që procesi gjyqësor ndaj tij të filloj nga e para. Me anë të vendimit numër 47, Kolegji i përbërë nga tre anëtarë të Gjykatës Kushtetuese ka vendosur moskalimin e kërkesës së Rrokut për shqyrtim në seancë plenare.
37-vjeçari, ish-punonjës i Shërbimit Informativ, është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Tiranës, pasi më 17 shkurt të vitit 2001 vrau me armën e shërbimit 16-vjeçaren Alda Canaj dhe nënën e saj, Mbarime Canaj, pranë pallatit të sportit “Asllan Rusi”.
Me 9 shkurt të këtij viti Marjan Rroku iu drejtua Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë për rrëzimin e vendimit të Gjykatës së Lartë dhe rikthimin e gjykimit në Shkallën e Parë.
Marjan Rroku për 10 vjet qëndroi në arrati në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me identitet të rremë Jeton Mirakaj, deri sa u kap nga MArshalli Kevin Connëlli në vitin 2011, i cili ishte vënë në lëvizje pas përpjekjeve të vazhdueshme të motrës së viktimës, që gjithashtu kishte emigruar në Shtetet e Bashkuara. Më datën 13 shkurt të vitit 2014 ai u ekstradua nga Amerika dhe po vuan dënimin me burgim të përjetshëm.
Çështja e tij pati jehonë të madhe mediatike dhe diskutim në opinionin publik, pasi Marjan Rroku ishte personazh në “E Diela Shqiptare”. Ardit Gjebrea e intervistoi atë në burg rreth dy muaj më parë dhe u aludua se Rroku do përfitonte pas daljes në TV.