Shaban Dulla, një banor i qytetit të Beratit, pjesëtar i komunitetit rom, është gjobitur 200 mijë lekë (të vjetra) nga Bashkia Berat për shkak të mbajtjes së kafshëve të gjalla në zonat e banuara.
Më konkretisht bëhet fjalë për një lopë që z. Dulla mbante familjen gjallë nëpërmjet saj, duke jetuar në kushte të vështira në periferi të Beratit.
Procesverbali i aktit të konstatimit të bashkisë Berat mban datën 16.09.2014, ndërsa gjoba në formën e titullit ekzekutiv, e cila sanksionon pagesën dhe që mban firmën e kryetarit Petrit Sinaj është e datës 21.04.2016, pra një vit e gjysmë pas procesverbalit të mbajtur nga specialistët e Bashkisë Berat
Shaban Dulla tha për “beratinews.com” se në atë periudhë ai ka mbajtur lopë në shtëpi për të mbajtur familjen gjallë, ndërsa Bashkia Berat e ka ndalur. Pasi i kanë vajt në shtëpi, Dulla e ka larguar lopën dhe kjo gjobë i vjen si rrufe në qiell të hapur, duke e ditur se ai ka mbi një vit që nuk e ka lopën në shtëpi.
Ky nuk është akti i parë dhe i fundit i Bashkisë Berat.
Pak ditë më parë Policia Bashkiake largoi në mënyrë të dhunshme dy shitësit e farave, pjesëtarë të komunitetit të shurdhë-memecëve, nga bulevardi i Beratit.