Zëvendëskryeministri Niko Peleshi po zhvillon një vizitë në Kombet e Bashkuara në Nju Jork, ku nënshkroi në emër të Shqipërisë, Marrëveshjen e Parisit për Ndryshimet Klimatike, në një ceremoni të zhvilluar me praninë e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon.
Ceremonia e nënshkrimit u zhvillua në Ditën e Tokës, ndërsa marrëveshja u nënshkrua nga më shumë se 170 liderë botërorë. Zëvendëskryeministri Peleshi e cilësoi këtë marrëveshje si historike për të ardhmen e njerëzimit. Ai theksoi se Shqipëria është e angazhuar për të ndërmarrë veprime konkrete dhe koherente. “Prodhimi i energjisë elektrike në Shqipëri kryhet tërësisht nga burimet hidrike. Po përgatisim strategjinë kombëtare, po përafrojmë legjislacionit për adaptimin ndaj ndryshimeve klimaterike. Kontributet e synuara kombëtare (INDC), përfitime në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.” deklaroi Peleshi.
Zëvendëskryeministri Peleshi mori pjesë edhe në Debatin e Nivelit të Lartë mbi Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm. “Axhenda e re për vitin 2030 axhenda e re për vitin 2030 është e zbatueshme në të gjitha vendet. Parashikon përforcim të zbatimit të ligjit, forcim të vlerave demokratike të shoqërisë sonë, rritje të performancës ekonomike” deklaroi Peleshi. Zëvendëskryeministri nënvizoi bashkëjetesën fetare si një ndër asetet e shqiptarëve, ndërsa theksoi se “reforma e sistemit gjyqësor, punësimi i të rinjve, gjithëpërfshirja për personat me aftësi të kufizuar kontribuojnë në zhvillim. Fuqizimi i grave dhe vajzave, elemente kyç të përparimit tonë.”/ Balkanweb