Ekzekutimi mafioz i djeshëm në Elbasan, ishte 2 muaj pas masakrës në lokalin e vëllait të Sokol Çapjes.
Viktima e djeshme Saimir Beqiri, 51 vjeç, është vëllai i të akuzuarit për vrasjen e biznesmenit Çapja, Gentian Beqiri, i cili u eliminua fizikisht brenda banesës së tij në vitin 2012, ndërsa ruhej nga punonjës policie.
“Panorama” shkruan se Saimir Beqiri u ekzekutua me pesë plumba në kokë nga dy persona që e kanë ndjekur në lëvizjet e tij mëngjesin e djeshëm.
Burime jozyrtare thonë se 51-vjeçari është ruajtur nga autorët prej disa ditësh dhe dje kanë bërë ekzekutimin. Sipas të dhënave të siguruara nga Policia, Beqiri është ndjekur që kur ka dalë nga banesa në mëngjes, ndërsa po shkonte në pikën e karburantit, në pronësi të tij.
Por ai ka parë se një mjet tip “Benz Elegance” e ka ndjekur nga pas që kur ka dalë nga banesa dhe e ka parandier. Menjëherë ka dalë nga mjeti dhe ka nisur të vrapojë për t’u fshehur brenda ndërtesës, por nuk ia ka dalë.
Njëri nga personat që e ndiqte ka dalë nga makina, i është vënë pas dhe e ka qëlluar në hyrje të një lokali pesë herë në kokë duke e lënë të vdekur në vend.
Policia ka marrë në pyetje më shumë se 15 persona dëshmitarë si edhe familjarë të viktimës, për të mësuar ndonjë hakmarrje të mundshme apo ndonjë kërcënim kohët e fundit. Por ende nuk ka ndonjë informacion zyrtar se cilat ishin motivet e vrasjes së 51-vjeçarit./panorama