Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi i përgjigjet Aurel Plasarit, duke shprehur keqardhje për atë që e cilëson si kalërim të papritur të studiuesit në politikë.
Plasari tha se një prej çamëve që ka bashkëpunuar me nazistët është Napoleon Zerva, ndërsa Idrizi i sugjeron të lexojë sugjerimet e albanologut Robert Elsie për historinë e Çamërisë që deri më sot është shkruar vetëm prej grekëve.
“Le të kalërojë zoti Plasari në këtë fushë dhe jo atë të kritikës politike ndaj meje me një gjuhë sulmesh që e prisja nga grekët, por jo prej një intelektuali shqiptar! Gjithë jetën kemi baltosur sho-shoqin ne, shqiptarët dhe gjakprishurit janë vënë në shërbim të të huajve.”- shkruan Idrizi në faqen e tij në “Facebook”
“Zhgënjim i madh ky shkrimi i profesor Aurel Plasarit. Në fakt prisja me kureshtje ndonjë përgjigje apo fakt nga historianë grekë, qe do të përligjnin genocidin ndaj shqiptarëve të Çamërisë duke shfarosur 20 për qind të popullsisë dhe duke pastruar etnikisht nga shqiptarët Çamërinë. E gjitha kjo ndodhi, falë një teze të montuar për bashkëpunim të shqiptarëve të Çamërisë me nazistët. Kjo tezë nuk u kundërshtua asnjëherë nga historigrafia zyrtare shqiptare për sa kohë që në fuqi ishte rregjimi kriminel komunist i Enver Hoxhës deri në vitet ’90. Eshtë mjerim i madh intelektual dhe njerëzor, është frustrim prej defiçitit të protagonizmit ajo që pashë në deklarimin e Aurel Plasarit. Nuk dua të besoj se ai s’ka kuptuar gjuhën time politike, metaforat e mia ndaj ministrit të jashtëm Bushati. Napolon Zerva mund të jetë me origjinë shqiptare, por renegatët, kombmohuesit, gjakprishurit, që bëhen ekzekutorë të genocidit janë më grekë se grekët, më shovinistë.”- shkruan Idrizi.
“Keqardhje që dikush nga fusha e letrave papritmas kalëron në politikë pas një heshtje të gjatë, duke më sulmuar mua. Historiani i djathtë me sa duket në këtë rast krejt miop, Aurel Plasari, me gjithë respektin për studimet e tij s’ka folur kurrë për Çështjen Çame. Profesori i nderuar u kujtua pikërisht sot të reagojë e me referenca greke të bëjë historianin e Greqisë dhe të më sfidojë ai në vend te kolegëve të tij Athinës. Plasari u thellua e gjeti që krimineli Napolon Zerva, i cili vrau e masakroi shqiptarët e Çamërisë qenka çam nazist, që do të thotë se grekët e Napolon Zervës i dhanë vetes të drejtë të bënin genocid mbi çamët, sepse Zerva vetë qenka bashkëpunëtor i gjermanit. Të lumtë Profesor! Paska qenë kaq e thjeshtë. Unë historinë e kam shumë për zemër, atë të Shqipërisë veçanërisht. Nga kjo e jotja rikujtova që historia mbi ne shqiptarët përsëritet. Pas të dhënave të tua, referuar historianëve grekë, po “lëkundem” mbi origjinën e Napolon Zervës, por jam plot i bindur që Napolon Zerva edhe po të ishte si thoni ju do të qe veç një gjakprishur. Doja t’i sugjeroja Plasarit të lexojë sugjerimet e albanologut Robert Elsie për historinë e Çamërisë që deri më sot është shkruar vetëm prej grekëve. Le të kalërojë zoti Plasari në këtë fushë dhe jo atë të kritikës politike ndaj meje me një gjuhë sulmesh që e prisja nga grekët, por jo prej një intelektuali shqiptar! Gjithë jetën kemi baltosur sho-shoqin ne, shqiptarët dhe gjakprishurit janë vënë në shërbim të të huajve.”- shkruan Idrizi.
Dy ditë më parë kreu i PDIU-së akuzoi si të dobët vizitën në Greqi të ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati, pasi sipas tij, nuk e ngriti për diskutim “çështjen çame”. Idrizi kërkoi nga Bushati që të bisөdojë me homologun e tij grek, me faktin se asnjë çam nuk ka bashkëpunuar me nazistët. Por në vend të ministrit, përgjigjen ia ka kthyer Plasari në “Facebook”, ku shkruan se një prej çamëve që ka bashkëpunuar me nazistët është pikërisht Napoleon Zerva. Plasari kritikon Idrizin si kryetar të partisë çame dhe madje shkon dhe me tej duke e quajtur deputetin, kapadai injorant