Kamerat nuk janë të mirëpritura në zyrat e GFI Teknologies në Mëzez, të vendosura në kilometrin e gjashtë të autostradës Tiranë Durrës.
Edhe roja i godinës nxiton t’u shmanget.
Thirrjeve telefonike nuk u përgjigjet askush.
Emri i kompanisë, që në mes të vitit 2013 fitoi tenderin e markimit të karburanteve figuron në Dosjet e Panamasë, skandalit më të madh financiar që ka njohur bota deri më sot.
Megjithatë, “GFI Technologies” e vijon normalisht punën për markimin e karburanteve, në depozitat e Porto Romanos.
Koncesionin e markimit të karburanteve e fitoi zyrtarisht Global Fluids. Më pas shërbimi kaloi në kompaninë “Petroleum Consulting Partners”, që në fazën fillestare zotëronte 25 perqind te aksioneve. Sot ajo zotëron 99.93 përqind të aksioneve dhe vetëm 0.07 % janë të GFI Technologies, me pronar shtetasin izraelit Assaf Halkin dhe ortak shqiptarin Ismail Mulleti. GFI është regjistruar në ishullin Anguilla, në Amerikën Qëndrore.
Dy biznesmenët Halkin e Mulleti janë ortakë me nga 45 % të aksioneve edhe në kompaninë “IMAH”, një kompani me aktivitet në fusha të ndryshme. /Tv Klan