Kryeministri Edi Rama i ftuar në emisionin Tonight Ilva Tare në Ora News, po flet mbi aktualitetin politik. Debati politik për reformën në drejtësi, përmbushja e 5 prioriteteve për integrimin, zgjedhjet në PS dhe referendumin për kryetarin e PS, situata ekonomike.
Tare: Protestat tek Liqeni, i keni ndjekur?
Rama: Sigurisht, e kam bërë komentin tim, janë shprehje e një situate të dëshpëruar të një opozite që nuk ka asnjë vizion, program, asnjë skuadër alternative dhe lidership jo e jo. Kapet pas gjërave që i dalin rrugës për të ngritur një valë pakënaqësie që nuk ka shans të kthehet në një mbështetje për atë vetë, por është problemi i tyre.
Tare: Thoni nuk ka lidership, Bashën e kisha të ftuar të hënën, ka rezerva në emër të PD për projektin, e konsideron të paligjshëm si ndërtim, madje me leje të falsifikuar. PD ka bërë denoncim në Prokurori, si është e vërteta e lejes?
Rama: E vërteta është që të jesh kryetar nuk do të thotë të jesh lider, të jesh kryetar nuk do të thotë të jesh domosdoshmërisht dikush që garanton një lidership për një forcë politike. Këto janë muhabete në hava sesa i ligjshëm apo i paligjshëm është ndërtimi, mund ta verifikoni lehtësisht sepse ka një dokumentacion përkatës. Një parti politike që e konsideron veten alternativë qeverisëse nuk mund të kthehet në një çetë që sulmon një punë publike në formën që tregojnë dhe këto pamje. Është një pamje dëshpëruese për një parti politike, këtu kemi parë shumë dhe jemi mësuar të shohim shumë çudira që nuk na bëjnë çudi, por këto pamje do kishin çuditur çdo qytetar të thjeshtë të çdo vendi europian sepse nuk ndodh që partia politike të sulmojë punët publike dhe nuk e kanë për herë të parë. Ka sulmuar me të njëjtat argumente një punë publike në bashkinë e Tiranës, jo nuk ka leje mjedisore, jo nuk ka leje këtu, aty, që ishte nënkalimi i Zogut të Zi ku ka hedhur në erë disa miliona euro për të cilat është marrë dhe një vendim gjykate që e pafajëson plotësisht bashkinë e Tiranës dhe e fajëson plotësisht partinë politike. Por ato para i mori lumi i kësaj lloj politike dhe për fat të keq ajo që kishim parashikuar në atë kohë sot po ndodh. Kaloni aty ku duhet të ishte nënkalimi i Zogut të Zi që do të siguronte lirshmëri trafiku për një periudhë 20 vjeçare dhe pastaj do të duhej të rikonceptohej me një mbikalim tjetër dhe do të kuptoni se çfarë të mirash i ka sjellë kjo lloj qasje politike punëve publike të këtij qyteti.
Tare: Në planin e ri për Tiranën do të përfshihet një rregullim për Zogun e Zi?
Rama: Duhet të pyesni kryetarin e Bashkisë. Unë e besoj, e mbështes dhe mbroj bindjen që sot e ka shumica dërmuese e Tiranës që kryetari i ri i Bashkisë është njeriu që i duhej Tiranës për ta shkundur dhe për ta rivënë në lëvizje hap pas hapi duke marrë parasysh dhe një trashëgimi shumë të rëndë financiare si dhe një trashëgimi po aq të rëndë të administratës së bashkisë së Tiranës.
Tare: A ka leje mjedisore projekti? Konspiracioni është që zyrtarë të LSI janë kundër këtij projekti.
Rama: I njëjti argument u përdor edhe për të shkatërruar veprën publike tek Zogu i Zi. Nuk ka leje mjedisore. Kjo parti politike sa herë ndërmerr operacione të kësaj natyre përsërit të njëjtën gjë pavarësisht se kush është Kryeministër, kryetar Bashkie, sa vite kalojnë. Por nuk besoj se ka shqiptarë me mendje në vend që të besojë qoftë dhe për një sekondë të vetme që kjo parti politike e shkatërroi gjithçka që mund të shkatërrohej në atë park dhe rreth atij parku duke ndërtuar një xhungël ndërtimesh mu mbi ujë dhe duke lejuar dhe legalizuar dhjetëra e dhjetëra ndërtime pa leje brenda në park të ketë sot një moment transhandental për të na shpëtuar nga cenimi i mjedisit. Nuk e besojnë as peshqit që kanë mbetur në liqenin artificial, jo më ta besojnë njerëzit e arsyeshëm. Kush është fanatik, symbyllur dhe veshëmbyllur dhe ha pa parë dhe dëgjuar argumente të tjerë, barin që ofron SHQUP, patjetër që beson se këta janë ambientalistë. Oor këta nuk janë asgjë tjetër veçse forcë e dëshpëruar. Njerëz të dëshpëruar bëjnë veprime të dëshpëruara. Ky është dëshpërim i madh.
Tare: Ka zyrtarë të LSI që nuk janë dakord me projektin?
Rama: Kjo është një histori që mua më neverit gjithmonë sepse ju i thoni, i botoni, i komentoni, ju i merrni për të vërteta dhe pastaj ne vijmë këtu dhe duhet të përgjigjemi për fantazitë tuaja. Çdo me thënë kjo që ka zyrtarë të LSI që janë kundër projektit? Kjo është fantazi dhe spekulim. Nuk denjoj ti përgjigjem kësaj sajese.