I fundit, që i është bashkuar kombëtares së parë zvicerane, për dy miqësoret e marsit, është Shani Tarashaj. Shtohet, kësisoji, “kolonia shqiptare” në përfaqësuesen helvete, finaliste e “Euro 2016”, kundërshtare e kuqezinjve në fazën e grupeve.
Media e këtij vendi, duke i konsideruar si “pjesa e luanit” në kombëtaren e Zvicrës, herë pas here ka ngritur edhe pikëpyetje mbi një përçarje, që mund të vijë nga shqiptarët
Sidoqoftë, Valon Behrami, më veterani ndër këtë “koloni”, ka qetësuar sot, duke thënë se asnjëri prej shqiptarëve aktualë, që luajnë me Zvicrën, nuk do t’i bashkohet Kosovës, nëse kjo e fundit pranohet nga UEFA dhe FIFA.
Përveç këtij këndvështrimi, shqiptarët e Zvicrës janë bërë objekt i mediave të këtij vendi edhe për diçka tjetër. Fjala është për makinat lukzose, me të cilat paraqiten në grumbullimet e
kombëtares. Nëse “rekruti” më i ri, Shani Tarashaj, shihet duke mbërritur në këmbë, me një çantë që e tërheq për dore, të tjerët zbresin nga
makina të kushtueshme.
Valon Behrami vjen me Ferrarin e tij të kuq, Granit Xhaka me një fuoristradë, me rrota të veçanta, ashtu sikurse nuk mbeten pas, për nga
luksi, edhe makinat e Shaqirit e të Xhemailit. Interesant është fakti se tre prej tyre zbarkojnë në rezidencën e kombëtares zvicerane të shoqëruar nga familjarë. Xhaka dhe Xhemaili nga baballarët e tyre, ndërsa Shaqiri nga vëllai. Behrami i vetëm, ashtu si Tarashaj.