TIRANE- “Ka dy ditë që më ndjek një njeri i dyshimtë”. Kështu ishte shprehur 37-vjeçari Viljon Cakollari, punonjës i parkut tek Ministra e Brendshme, i cili u qëllua me armë zjarri në prag të shtëpisë.
Burime të Prokurorisë thanë se janë marrë në pyetje dëshmitarë dhe të afërm të Cakollarit, i cili, megjithëse është shfaqur i shqetësuar, nuk ka marrë masa për t’u mbrojtur dhe as ka njoftuar autoritetet.
Prokuroria e Tiranës deklaron se ka regjistruar procedimin për “vrasje me paramendim”, të mbetur në tentativë, ndërsa ka dyshime të forta se bëhet fjalë për një atentat profesionistësh nga vrasës me pagesë.
Cakollari ndodhet në gjendje të rëndë në Reanimacion për shkak të plagëve të shumta që ka marrë në trup. Ai u qëllua me pistoletë nga persona të paidentifikuar disa ditë më parë.
Sipas hetuesve, atentatorët kanë studiuar lëvizjet e objektivit të tyre, njëri prej të cilëve është përshkruar te të afërmit disa ditë para ngjarjes nga vet i dëmtuari.
Pistat kryesore janë tre: së pari ajo e hakmarrjes, pasi vëllai i të plagosurit rëndë ka kryer një vrasje vite më parë.
Pista e dytë, sipas Prokurorisë, mund të ketë lidhje me faktin që Viljon Cakollari është kunati i Petrit Lleshit, një personazh i njohur vite më parë si anëtar i bandës së Niklës. Ai aktualisht ndodhet në burg dhe mësohet se, pak ditë më parë kishte bërë kërkesë për t’u liruar.