Është shoqëruar në komisariatin nr 1 të Tiranës kreu i Aleancës KuqeZi, Kreshnik Spahiu. Për Neës 24, në lidhje telefonike, Spahiu tha se është shoqëruar në zyrën e tij nga një fugon i policisë. Spahiu tha se ky ndalim lidhet me protestën e mëngjesit të sotëm. Bashkë me Spahiun janë ndaluar edhe tre aktivistë të AK.
Përfaqësues të Aleancës Kuq e Zi në shenjë proteste kanë mbyllur dhe gozhduar 3 hyrjet e institucionit të Bashkisë së Tiranës.
Sipas të dhënave paraprake, mësohet se situata është tensionuar mes protestuesve, të cilët nuk duan të lejojnë hyrjen brenda institucionit të kreut të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, duke thënë se ai po zapton qytetin.
Me zinxhirë, çekiçë dhe dryna, përfaqësues të AKsë po tentojnë të bllokojnë çdo hyrje. Në pamjet filmike që disponon ‘Neës 24’ shihet se përfaqësuesit e AKsë janë përplasur dhe me policinë bashkiake, e cila ndodhet aty për të mbikëqyrur situatën për mospërshkallëzimin e protestës.