Nga Olta Beqiri
Shqipëria është një vend i vogël, me një pozicion tepër të favorshëm gjeografik, i rrethuar
nga male e që laget nga dy dete, por fatkeqësisht i populluar nga ne, “shqiptarët”.
Jemi ne pra, shqiptarët,që shquhemi për njerëz të besës e kur e japim fjalën nuk e kthejmë
pas. Ne premtohemi dhe premtojmë çdo dy vjet. Premtohemi nga” ca koka”, për punë, për zhvillim,
për Europën, madje bashkë me këto premtime marrim edhe një thes miell. E përqafojmë
premtuesin, e puthim në ballë, i shtojmë jetën me urime e i gëzohemi atyre premtimeve a atij thesi,
thuaj sikur nuk i kishim dëgjuar e parë më përpara.
Kur na vjen “shkesi” i premtuesit në shtëpi, një ditë para zgjedhjeve, që të sigurohet që ne
do t’u japim votën, personalisht më duket, si ai shkesi që vjen të bëjë bisedën e fundit ,me babain
e një familjeje të vjetër shqiptare për dorën e vajzës ,(them të vjetër,sepse martesat me mblesëri
thuajse po zhduken) e që kur e përcjell te dera i thotë : “Pasha kryn e nan’s, jam burr un, besën ta
dhash e cuca âsht e jotja qy nesër” , e në këtë rast vota.
Pasi votojmë, dalim të lumtur, qeshim e kur shkojmë në shtëpi, shohim që nëna na ka
përgatitur një bukë, që i vjen era që nga porta dhe për ta shoqëruar ka përgatitur dhe fasule.
Ushqehemi, madje marrim dhe pak spec djegës që t’i shijojmë fasulet tamam. Mirëpo, kur
shtrihemi për të fjetur, na djeg pak gjuha nga speci, e ç’bëjmë ne? Gishtin e madh të dorës, e fusim
në gojë, e për dy vite me radhë, nuk e heqim nga goja.
Si të papunë që jemi ne shqiptarët, rrimë sa rrimë e themi: A fillojmë e grabisim?
E kush mund të na fajësojë?. Le të grabisim , sepse një fjalë e urtë thotë: “Fëmija mëson gjestet e
prindit”! Ja grabitëm, u bëmë të pasur? Për ne, fëmijët e kam fjalën,jo për prindërit. Normalisht që
jo. Se dhe këto para që do vjedhim, ose do t’i pimë alkool e do të vrasim nga të pabërit asgjë, ose
do t’i luajmë loto e do të vetëvritemi nga thellimi i borxheve.
Pas dy viteve ndodh e njëjta gjë,ama kësaj radhe, ka ndryshuar shkesi dhe çmimi. Nuk ka
më një thes miell, por para në dorë. Fillon sërish premtuesi me fjalët e tij e as këtij nuk i vë faj.
Pse do të thoni ju?
Po ja, vende pune hapi, jo 140 mijë, por plot 140 vende, për vete e deputetët e tjerë.
Ekonominë e vet e zhvilloi,Europën e europianët i pa e i takoi, e pyes veten, çdo më tepër ky dreq
shqiptari? Kur qeni sheh të zotin që është mire ,nuk duhet t’i qahet por t’i qeshë.
Nejse, shkesi vjen sërish, e njeriu i besës kur prek paratë, i duket sikur prek parajsën. Ja
jep prapë besën, e me ato para që mori, i blen lodra fëmijëve, një varëse gruas, e për vete shkon te
berberi të shkurtojë flokët. Kësaj radhe, nuk mban më gishtin në gojë, por mban dorën te flokët,
se, për dreq, as ato nuk po i rriten më. Jo për ndonjë gjë, por veç leshrat i kanë mbetur për të shitur
që të ushqejë familjen.
Si përfundim, veç një këshillë kam: “Ujku, në vendin ku gjen një qengj, po në atë vend
vjen e kërkon përsëri!”
Olta Beqiri,17 shkurt 2016