E përditshmja italiane “Il Messaggero”, raporton se në klubin e Lacios, situata paraqitet shumë e tensionuar. Sipas saj tetë lojtarë të Lacios kanë qenë protagonistë në sherrin që ka shpërthyer në “Formello”, i cili raportohet se ka qenë shumë i dhunshëm.
Në Stamboll mësohet se drejtori sportiv i Lacios, Igli Tare, ka kapur nga fyti futbollistin italian, Antonio Kandreva, i cili po debatonte me tone të ashpra me Miroslav Klosen në dhomat e zhveshjes. Arsyeja e sherrit është egoizmi i tepruar i Kandrevës në fushën e lojës.
Ndërsa flitet se trajneri Pioli nuk ka reaguar pas sherrit të fundit që shpërtheu në fushë mes lojtarëve, duke pritur që “ujërat të qetësohen”. Në fund, tekniku italian është munduar për të qetësuar situatën duke i ftuar të gjithë protagonistët e përfshirë në sherr që të konfrontohet dhe të sqarohen me njëritjetrin. Nuk e dimë nëse Pioli ka arritur t’i qetësojë gjakrat e ndezur, por përgjigjja e ekipit në fushë ka qenë shumë pozitive, pasi Lacio është skuadra e vetme italiane e kualifikuar për në Ligën e Europës.
Candreva: Sajime të mediave
Por futbollisti i Lacios, Antonio Candreva thotë se lajmet se ai ësht përleshur me Igli Taren pas sherrit që paska bërë me Miroslav Klose, janë sajime. “Kam lexuar kohët e fundit shumë gjëra por kam preferuar të qëndroj në heshtje. Por kur sajimet arrijnë deri në këtë pikë, nuk munda më. Heshtja nuk ishte më zgjidhje. Lexova komplet gjëra të sajuara dhe sot në gazetë dhe bëhen me kast që të më prishin imazhin tim”.