TIRANË- Demokratët kanë reaguar dje si zëra më vete për rikthimin e Armando Prengës në Kuvend. Ishte Lulzim Basha, Sali Berisha, Jozefina Topalli, etj. që thanë se është e turpshme që një person nën akuzë të kthehet në komisionin e sigurisë. Por edhe gjatë mbledhjes së djeshme të grupit parlamentar disa deputetë kanë thënë se opozita duhet të veprojë.
Sipas gazetës “Panorama”, Basha ka thënë në mbledhje grupi se demokratët nuk mund të rrinë duarkryq në një kohë që në Parlament hyn një kriminel i sjellë nga maxhoranca dhe mbron interesat e shumicës. Të njëjtat burime shkruajnë se disa prej ligjvënësve demokratë kanë qenë të idesë që PD-ja të bojkotojë punimet e Parlamentit. Ish-kryeministri Berisha ka kërkuar që të gjendet një rrugë që të nderojë gjithë procesin e ndjekur nga PD për ligjin e dekriminalizimit.
Ndërkohë që si alternativë reagimi përballë vendimit të hyrjes në Kuvend të një deputeti të liruar nga burgu, demokratët kanë si skenar edhe bllokimin e foltores së Kuvendit apo edhe bllokimin fizik të deputetit të përjashtuar nga PS për të ndjekur punimet e Kuvendit.
Qëndrimet e ndryshme të mbajtura gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar kanë bërë që kryetari Basha të mos dalë me një vendim konkret në lidhje me këtë ngjarje, duke kërkuar që për këtë vendim të mbledhë edhe një herë sot, kryesinë e grupit dhe më pas sërish grupin parlamentar të PD.