TIRANE- Kasat fiskale janë monopol i një dore kompanish që operojnë në vend. Ky fakt është evidentuar edhe nga Autoriteti i Konkurrencës pas monitorimit në tregun e shërbimit të pajisjeve fiskale.
Autoriteti i ka rekomanduar Qeverisë të liberalizojë kriteret për marrjen e autorizimit në mënyrë që të futen ne treg edhe kompani të reja. Por kush po e mban peng këtë treg? Ministria e Financave duhet të përgjigjet për këtë çështje…
Referuar kritereve të kërkuara për të aplikuar dhe për t’u pajisur me autorizim, kërkohet që ndërmarrja të ketë një qarkullimin vjetor për 3 vitet e fundit në total, i cili nuk duhet të jetë më i vogël se 10 milionë euro ose ekuivalente.
Gjithashtu, për t’u pajisur me autorizim, ndërmarrjes i kërkohet të depozitojnë një garanci bankare, në vlerën prej 500 000 (pesëqind mijë) $, në llogari të Ministrisë së Financave.
Në tregun e kasave fiskale nuk ka pengesa ligjore për hyrjen në treg, vëren Autoriteti i Konkurrencës, pasi ndërmarrjet të cilat përmbushin kriteret e nevojshme dhe zotërojnë kapitalin e nevojshëm janë të lira të hyjnë në treg, por pengesa ka të bëjë me qarkullimin vjetor dhe garancinë bankare.
Pra, kërkesat ekonomike që u kërkohen ndërmarrje për të hyrë dhe ushtruar veprimtarinë në këtë treg, përbëjnë barriera domethënëse hyrëse. “Eliminimi i këtyre barrierave do të rriste konkurrencës midis ndërmarrjeve” këshillon Autoriteti i Konkurencës.
Si rrjedhojë, Komisioni i Konkurrencës i kërkon Qeverisë të rishikohen barrierat ekonomike përsa i përket qarkullimit vjetor prej 10 milionë Euro për 3 vjet dhe garancisë bankare prej 500 000 dollarë”.
Sipas ligjit, shërbimi i pajisjeve me kasa fiskale, ofrohet vetëm nga ndërmarrjet e autorizuara. Çdo subjekt që kërkon të pajiset me autorizimin “Shoqëri e autorizuar” për furnizimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve fiskale, duhet të aplikojë pranë Ministrisë së Financave.
Këto janë kompanitë që kanë të drejtën e shitjes së kasave fiskale në vend
– IVA ELEKTRONIK
– BNT Electronics
– AED
– DAISY & ETM