Pjesëtarët e organizatës terroriste ISIS kanë kryer masakër të tmerrshme në provincën lindore Deir al-Zour, duke vrarë rreth 400 persona, kryesisht gra dhe fëmijë, ndërsa raportohet edhe për 300 të tjerë të rrëmbyer.
Duke iu referuar burimeve lokale, televizioni SANA lajmëroi se terroristët e ISIS-it kanë hyrë në një lagje të qytetit dhe kryen masakër të tmerrshme ndaj civilëve. Burimi i njëjtë pohon se janë vrarë së paku 400 persona, në mesin e të cilëve numri më i madh janë gra, pleq dhe fëmijë, transmeton KTV.
Paralelisht me këtë, agjencia siriane e lajmeve SANA po ashtu, lajmëroi se terroristët e ISIS-it kanë kryer një varg sulmesh vetëvrasëse me bomba dhe një masakër masive në këtë rajon, ndërsa kanë kidnapuar rreth 300 persona të tjerë.
Observatori për të drejtat e njeriut në Siri raporton se terroristët “në mënyrë tinëzare” hynë në lagje duke vrarë dhjetëra civilë dhe së paku 75 ushtarë sirianë.
Grupi ekstremist, Shteti Islamik, e ka kontrollin në pjesën më të madhe të provincës lindore, Deir al-Zour, ndërsa qeveria i kontrollon disa pjesë të qytetit me po këtë emër, përfshirë edhe një aeroport ushtarak, transmeton Koha.net.
Provinca Deir al-Zour i mundëson grupit militant, Shteti Islamik, lidhjen me territorin që ka nën kontroll në Irak./ Express