Një aksion antiterrorizëm është ndërmarrë nga policia italiane në Breshia, në bashkëpunim me policinë kosovare, që ka çuar në një sërë arrestimesh.
Kanë përfunduar në pranga disa shtetas kosovarë, të konsideruar si përgjegjës për “apologji të terrorizmit” dhe “nxitje të urrejtjes racore”, bëjnë të ditur mediat italiane.
Sipas autoriteteve italiane, operacioni i koduar me emrin “Van Damme” ka mundësuar shpërbërjen e një grupi terrorist, që përmes internetit dhe rrjeteve sociale propagandonte ideologjinë xhihadiste.
Personi i konsideruar si “truri” i këtij grupi, një shtetas kosovar që ka jetuar për një kohë të gjatë në Itali, është arrestuar në Kosovë nga autoritetet vendase, ndërsa 3 të tjerët janë arrestuar në Itali, ku jetonin prej kohësh.
Sipas Sky TG 24, ka pasur kërcënime për jetën e Papa Françeskut. “Ky Papë do të jetë i fundit”, është dëgjuar nga përgjimet e tyre telefonike.