Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan sot në 8 qershor foli për hetimet e SPAK për pronat në Zvërnec dhe zonat përreth.
Lala u shpreh se SPAK është duke hetuar për skemë të tjetërsimit të tokave në Zvërnec e në Akërni.
“SPAK po heton për skemë masive për tjetërsim pronash në Akërni dhe në Zvërnec. Është regjistruar procedim penal të grupit kriminal dhe pastrim parash. Më 31 maj ka pasur një vendim të GJKKO, që ka kontrolluar zyra dhe shoqëri. Vendimi për të ngrirë llogaritë e investitorëve katarianë është më herët se 31 maji. Është bërë kontrolli i personave që mund të kenë dijeni dhe vendeve ku mund të gjenden prova, për llogari të hetimit. Janë kryer veprime dhe transaksione gjatë 2015, 2025 dhe 2026. Proceset ku Shehu pretendon se është pronar janë procese që nuk janë mbaruar, se është në gjyq me persona të tjerë. Për këto pasuri, banorët thonë se tokat janë përfituar me AMTP. SPAK thotë se janë prona të falsifikuara. Z Shehu ka shkuar në gjykatë dhe Gjykata e Apelit i ka dhënë të drejtë. Pala tjetër ka po ashtu pretendime pronësie”, tha Lala.Më tej, shpjegoi se ka përplasje të forta mes pronarëve që pretendojnë tokën në Zvërnec.
“Ferdinand Sulaj dhe Artur Shehu pretendojnë se pronat janë të tyre. I kanë marrë me AMTP. Janë përplasur me njëri-tjetrin për çështjen e pronës. Nga ana tjetër, ka mijëra procese gjyqësore, deri në falsifikim dosjesh të tëra. Z Shehu është në të drejtën e vet të thotë se toka është e imja. Dhe persona të tjerë pretendojnë pronën. Gjithë skema e tjetërsimit të pronave dyshohet se është bërë nga avokati i zotit Shehu. Pjesa më e madhe e dokumenteve janë false. Gjykata e Lartë ka kthyer një pjesë të mirë të dosjes për tokën. Ka përgjime, ka deklarime të dhënë nga vetë personat, ka kontroll të dy studiove avokatore. Në qendër të hetimit është Artur Shehu. Sesa është përfshirë z Shehu këtë nuk e dimë, këtë e di drejtësia”, deklaroi Lala.















