Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result
KONTAKT
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë
Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result

SHBA-ja do që ta ndryshojë hartën energjetike të Ballkanit

2026/05/19 at 8:17 AM
në Aktualitet, Te Fundit
Kohë leximi: 10 min
A A
SHBA-ja do që ta ndryshojë hartën energjetike të Ballkanit

Shtetet e Bashkuara duan ta ndryshojnë mënyrën se si furnizohet me energji Ballkani Perëndimor, duke bërë një rrjet marrëveshjesh për importin e gazit të lëngshëm (LNG).


Qëllimi është të ulet varësia e rajonit nga Rusia dhe të forcohet korridori energjetik nga jugu drejt Evropës Qendrore.

Për këtë, janë planifikuar projekte në disa vende të rajonit – nga Kroacia, Bosnje dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Mali i Zi, deri në Kosovë dhe në Serbi.

Këto projekte përfshijnë gazsjellës të rinj, terminale për gazin e lëngshëm dhe termocentrale me gaz, dhe mbështeten politikisht dhe financiarisht nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian.

Disa nga këto projekte janë tashmë në fazë ndërtimi ose në proces kontraktimi, ndërsa të tjerat janë ende në fazën e planifikimit.

Në përgjithësi, sistemi energjetik rajonal është duke u orientuar gradualisht drejt gazit natyror nga SHBA-ja, Azerbajxhani dhe Mesdheu.

Jonathan Stern, profesor në Institutin Oxford për Studime Energjetike, vlerëson se Evropa Juglindore tashmë ka zhvilluar rrugë alternative të furnizimit.

“Ekzistojnë terminale të LNG-së në Greqi dhe Kroaci, dhe Korridori Jugor i Gazit nga Azerbajxhani, së bashku me fushën rumune të gazit Neptun Deep në Detin e Zi, shfrytëzimi i së cilës pritet të fillojë vitin e ardhshëm dhe rezervat e së cilës vlerësohen në 100 miliardë metra kub”, thotë Stern për Radion Evropa e Lirë.

Fundi i varësisë së Bosnje dhe Hercegovinës nga Rusia

Bosnje dhe Hercegovina ishte në qendër të vëmendjes në muajt e fundit, për shkak të projektit të Ndërlidhjes Jugore të Gazit me Kroacinë, i cili do t’i siguronte entitetit të Federatës së Bosnjës qasje në terminalin e LNG-së në Kërk dhe furnizues alternativ të gazit.

Në të njëjtën kohë, autoritetet e entitetit tjetër të Bosnjës, Republika Sërpska, vazhdojnë të zhvillojnë lidhje të ndara gazi me Serbinë, duke përfshirë projektin e Ndërlidhjes Lindore nga Bijelina në Banja Llukë.

Për gati pesë dekada, Bosnje dhe Hercegovina ka qenë plotësisht e varur nga gazi rus, i cili i shkon nëpërmjet Rrjedhës Turke.

Ai përdoret kryesisht për ngrohje në Sarajevë dhe, krahasuar me Serbinë, Bosnja është një konsumatore e papërfillshme.

Marrëveshja midis Bosnje dhe Hercegovinës dhe Kroacisë për lidhjen e gazsjellësit nga Dalmacia në Bosnjën qendrore, me degë në Hercegovinë dhe veriperëndim të vendit, u nënshkrua me pjesëmarrjen e sekretarit të Energjisë të SHBA-së, Chris Wright, në mujain prill në Dubrovnik.

Asaj i paraprinë disa muaj mbështetje zyrtare nga Uashingtoni për projektin, i cili u përshkrua si “strategjik për sigurinë energjetike të rajonit”.

Pjesa kroate e projektit drejtohet nga kompania shtetërore Plinacro, ndërsa në Bosnje dhe Hercegovinë nga kompania private amerikane AAFS Infrastructure and Energy, drejtorët e së cilës janë pjesë e rrethit të ngushtë të presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

Projekti shkaktoi kritika nga Komisioni Evropian dhe Komuniteti i Energjisë, anëtare e të cilit është Bosnje dhe Hercegovina, për shkak të një ligji të posaçëm (lex specialis) në Federatën e Bosnjës që përfshin një kompani private amerikane, si dhe çështjeve të pajtueshmërisë me rregullat e BE-së.

“Projekti duhet të zbatohet brenda një kuadri që është plotësisht në përputhje me acquis-in ligjor të Komunitetit të Energjisë dhe me parimet e politikës energjetike të BE-së”, tha për Radion Evropa e Lirë Hanna Claeson, zëdhënëse e Komunitetit Evropian të Energjisë, anëtare të të cilit janë vendet e BE-së, Bosnje dhe Hercegovina dhe vendet e tjera të rajonit.

Bosnje dhe Hercegovina konsumon deri në 250 milionë metra kub gaz në vit, ndërsa përmes gazsjellësit të ri parashikohet të transportohen rreth 1.5 miliard metra kub.

Për këtë arsye është duke u shqyrtuar edhe ndërtimi i termocentraleve me gaz, të cilat do të mund të furnizonin me energji elektrike rreth 400.000 familje.

Aktualisht, 80 për qind e energjisë elektrike prodhohet në termocentrale me qymyr, disa prej të cilave janë ndërtuar më shumë se 50 vjet më parë.

Tubacioni i planifikuar do të lidhet me atë ekzistues që vjen nga Serbia.

Stern, nga Instituti i Oksfordit për Studime të Energjisë, beson se tubacioni “është i rëndësishëm për Bosnje dhe Hercegovinën, por jo për rajonin më të gjerë”.

Ai, gjithashtu, shpreh dyshime për levërdinë e investimit prej rreth 1 miliard eurosh – sa vlerësohet ndërtimi i këtij gazsjellësi të ri.

“Kroacia nuk ka kapacitet të disponueshëm të LNG-së për transitin e gazit përmes Bosnje dhe Hercegovinës. Dhe, ku do të shkonte? Serbia tani mund ta marrë atë përmes Bullgarisë”, thotë Stern.

Partneriteti strategjik Serbi-SHBA

Serbia po zgjeron infrastrukturën e saj të gazit në përpjekje për të ruajtur rolin e saj si qendër rajonale e energjisë, duke hapur njëkohësisht hapësirë për LNG-në amerikane dhe investime të reja perëndimore në sektorin e energjisë.

Ministrja serbe e Energjisë, Dubravka Gjedoviq Handanoviq, nënshkroi një deklaratë të përbashkët me SHBA-në dhe disa vende të Evropës Lindore dhe Qendrore në një samit në Uashington në shkurt të këtij viti.

Shefi i ndërmarrjes Srbijagas, Dushan Bajatoviq, deklaroi më pas se Serbia “do të duhet të blejë gaz amerikan”, megjithëse sasitë dhe kontratat formale nuk janë përcaktuar ende.

Marrëveshja Strategjike e Energjisë e vitit 2024 me SHBA-në parashikon diversifikimin e burimeve, por ende nuk ka një kontratë formale për blerjen e LNG-së amerikane.

Gazi amerikan mund të mbërrijë nëpërmjet terminalit kroat në Kërk ose Aleksandropolisit grek, falë ndërlidhjeve të reja me Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Serbia operon një rrjet prej rreth 2.500 kilometrash tubacionesh gazi dhe planifikon tubacione të reja, duke përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut, dhe po zgjeron objektin e magazinimit të Banatski Dvorit.

Aktualisht, më shumë se 80 për qind të gazit, Serbia e merr nga Rusia përmes Rrjedhës Turke.

Pavarësisht njoftimeve për diversifikim, objektet kryesore të gazit në Serbi, përfshirë termocentralin-kogjenerues TE-TO Pançevo, vazhdojnë të jenë të lidhura me Gazprom-in rus dhe me Industrinë e Naftës së Serbisë.

Terminali i LNG-së në Tivar dhe termocentralet me gaz

Mali i Zi – megjithëse pa rrjet gazi – është duke u bërë pjesë e kuadrit amerikan të LNG-së, përmes planeve për një terminal në portin e Tivarit dhe termocentraleve të ardhshme me gaz.

Mali i Zi, gjithashtu, mori pjesë në Samitin Amerikan Transatlantik të Sigurisë së Gazit në Uashington, në shkurt të këtij viti, ku nënshkroi një deklaratë të përbashkët, me të cilën disa vende të Evropës Qendrore dhe Jugore njoftuan se do të bashkëpunojnë me SHBA-në në energji.

Edhe pse kompanitë amerikane Enerflex dhe Wethington Energy Innovation nënshkruan një memorandum me Qeverinë e Malit të Zi në vitin 2023 për përgatitjen e projektit, ende nuk ka marrëveshje për furnizimin me LNG, nuk janë caktuar sasitë dhe nuk janë nënshkruar kontrata konkrete.

Mali i Zi, ndërkohë, ka mbështetur projektin e gazsjellësit Jon-Adriatik (IAP), i cili do ta lidhte gazsjellësin Transadriatik (TAP) në Shqipëri me Kroacinë, por ai ende mbetet në fazën e planit fillestar.

Përndryshe, disa termocentrale me gaz me kapacitete që variojnë nga 50 deri në 400 megavate, po merren në konsideratë në Tivar, Podgoricë dhe Plevle, duke përfshirë modele hibride dhe konvertime të termocentraleve ekzistuese.

Sipas studimeve të realizuara për Elektroekonominë e Malit të Zi nga kompania japoneze JERA dhe konsulenca zvicerane SS&A Power Consultancy, të gjitha opsionet e shqyrtuara janë teknikisht të realizueshme dhe ekonomikisht të leverdishme.

Në varësi të kapacitetit të termocentralit dhe burimit të furnizimit me gaz, investimet vlerësohen të variojnë nga 233 deri në 362 milionë euro.

Kosova aktualisht jashtë planeve

Kosova nuk ka infrastrukturë të gazit dhe mbështetet plotësisht në termocentralet me qymyr.

Projekti për një interkonektor gazi me Maqedoninë e Veriut është përfshirë më herët në planin investues të BE-së për Ballkanin Perëndimor, por është ndalur për shkak të, siç kanë thënë nga Qeveria, kostove të larta dhe fokusit strategjik në burimet e ripërtëritshme të energjisë.

Tubacioni do t’i jepte Kosovës qasje në gaz nga terminalet greke të LNG-së në Detin Egje, dhe ideja ishte të ndërtohej edhe një tubacion drejt Shqipërisë.

“Nëse dhe kur kushtet e tregut ndryshojnë dhe mjedisi i biznesit bëhet më tërheqës, Departamenti i Energjisë [i SHBA-së] do të jetë i gatshëm të ndihmojë në lidhjen e kompanive amerikane me partnerët në Kosovë”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë Joshua Volz, i dërguar i posaçëm i Departamentit amerikan të Energjisë.

Kosova ka refuzuar të investojë rreth 200 milionë dollarë amerikanë në infrastrukturën e gazit përmes programit të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) dhe i ka devijuar fondet në sistemet e ruajtjes së energjisë në bateri.

Maqedonia e Veriut – hallkë kyç e Korridorit Jugor

Shkupi, aktualisht, është duke ndërtuar infrastrukturë të re të gazit me mbështetjen e Uashingtonit dhe Brukselit, me synimin që të shkëputet nga varësia shumëvjeçare nga gazi rus dhe të pozicionohet si një qendër e re energjetike rajonale.

Maqedonia e Veriut është anëtare e NATO-s dhe kandidate për BE, prandaj diversifikimi i furnizimit me energji është bërë edhe çështje gjeopolitike.

Termocentrali-kogjenerues TE-TO Shkup, që furnizon kryeqytetin me ngrohje dhe prodhon energji elektrike, varet nga gazi rus dhe është nën kontrollin e grupit rus Sintez.

Shkupi ka nënshkruar një memorandum me furnizues amerikanë për blerjen e LNG-së, por detajet nuk janë bërë publike.

Gazsjellësi Gjevgjeli-Negotinë është në ndërtim e sipër dhe do ta lidhë këtë vend me terminalet LNG në Greqi, me një kapacitet fillestar prej 1.5 miliard metrash kub në vit.

Institucionet e BE-së janë duke e financuar projektin me një kombinim kredish dhe grantesh, ndërsa, paralelisht, po planifikohet edhe një ndërlidhje me Serbinë – me punimet që pritet të fillojnë në vitin 2027.

“Maqedonia e Veriut planifikon të ndërtojë 67 objekte të reja energjetike, me një kapacitet të instaluar total prej 4.416 megavatesh, duke përfshirë një central bashkëprodhimi pranë Negotinit”, tha Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale e Maqedonisë së Veriut për Radion Evropa e Lirë.

Shqipëria – qendra e LNG-së në Adriatik

Në prill të këtij viti, Shqipëria nënshkroi një marrëveshje strategjike, me vlerë 6 miliardë dollarë, me kompaninë amerikane Venture Global dhe kompaninë greke Aktor LNG USA, të cilat do të blejnë LNG nga Shtetet e Bashkuara për furnizim afatgjatë – nisur nga viti 2030.

Plani përfshin zhvillimin e një qendre energjetike në Vlorë, me një terminal LNG dhe një termocentral me gaz me kapacitet prej rreth 380 megavatesh, me lidhje me Gazsjellësin Trans-Adriatik (TAP), i cili transporton gaz nga Azerbajxhani në Itali që nga viti 2020.

Projekti mbështetet nga administrata amerikane, e cila e sheh Shqipërinë si një pikë hyrjeje të mundshme për shpërndarjen e gazit amerikan në Kosovë, Maqedoni të Veriut dhe pjesë të tjera të Ballkanit Perëndimor.

Shqipëria nuk ka një rrjet të brendshëm funksional të gazit dhe infrastruktura ekzistuese nga periudha socialiste është kryesisht e papërdorshme.

Për Shqipërinë, e cila pothuajse të gjithë energjinë elektrike e prodhon nga hidrocentralet, ndërtimi i një termocentrali me gaz do të shërbente si rezervë sigurie në periudhat e thatësirës dhe rritjes së konsumit.

“Zgjidhja për gazifikimin e Shqipërisë është ndërtimi i Gazsjellësit Jon-Adriatik (IAP) dhe lidhja me terminalin e LNG-së në Kroaci, lidhja me Gazsjellësin Trans-Adriatik (TAP), përmes të cilit vjen gazi nga rajoni i Kaspikut, dhe ndërtimi i një terminali të LNG-së dhe magazinimit të gazit në Dumrei”, thotë Stavri Dhima, nga Universiteti Evropian në Tiranë, i cili ka punuar për 20 vjet në Institutin për Kërkime të Naftës dhe Gazit në Fier.

Terminali i LNG-së në portin e Vlorës mund të jetë një qendër gazi për furnizimin e Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, dhe nëpërmjet IAP-it dhe TAP-it gazi mund të shkojë edhe në Bosnje dhe Hercegovinë dhe në Itali.

“Vetëm infrastruktura nuk garanton siguri energjetike”, thotë për Radion Evropa e Lirë Sophie Corbeau, nga Qendra për Politika Globale të Energjisë në Paris, duke iu referuar planeve për ndërtimin e terminaleve të reja të LNG-së, tubacioneve të gazit dhe termocentraleve me gaz.

Vendet që duan ta zvogëlojnë varësinë e tyre nga gazi rus, duhet së pari të sigurojnë kontrata të besueshme afatgjate me disa furnizues, përfundon Corbeau./ REL



Ju sugjerojmë

Zvërneci, Eugen Beci: Me hetim të SPAK-ut nuk jepet dot më leje
-U tha në Opinion

Zvërneci, Eugen Beci: Me hetim të SPAK-ut nuk jepet dot më leje

8 Qershor, 2026 10:54 pm
Klodiana Lala: SPAK po heton për skemë tjetërsimi tokash në Zvërnec
-U tha në Opinion

Klodiana Lala: SPAK po heton për skemë tjetërsimi tokash në Zvërnec

8 Qershor, 2026 10:41 pm
Infleuncerja “sherr” virtual me Zegjine Çaushin: Analfabete funksionale
InstaBIZ

Infleuncerja “sherr” virtual me Zegjine Çaushin: Analfabete funksionale

8 Qershor, 2026 10:39 pm
Inovacioni/ Rama takim me të rinj në Gjirokastër: Rrisim financimin për startup-et
Politikë

Rama publikon videon dhe i përgjigjet Iranit: Po merakoseni për shqiptarët?

8 Qershor, 2026 10:33 pm
Rama: Votat na duheshin për integrimin, imagjinoni ku do të ishim me molotovarët
Kryesore

Zvërneci, Rama për Reuters: Projekti i Zvërnecit nuk ndalet

8 Qershor, 2026 10:10 pm
Netanyahu: Nuk kemi një afat kohor se kur mund të mbarojë lufta në Iran
Bota

Netanyahu: Lufta me Iranin dhe Hezbollahun nuk ka mbaruar ende

8 Qershor, 2026 9:23 pm
Kush përfiton nga njollosja e Shqipërisë?
Sociale

Kush përfiton nga njollosja e Shqipërisë?

8 Qershor, 2026 9:15 pm
Rama u përgjigjet protestuesve: Kush më quan tradhtar është i pafytyrë
Kryesore

Rama u përgjigjet protestuesve: Kush më quan tradhtar është i pafytyrë

8 Qershor, 2026 8:41 pm
Kallas propozon diplomaten portugeze si ambasadore të BE-së në Shqipëri
Aktualitet

Kallas propozon diplomaten portugeze si ambasadore të BE-së në Shqipëri

8 Qershor, 2026 8:39 pm
Reuters transmeton live protestën para Kryeministrisë
Aktualitet

Reuters transmeton live protestën para Kryeministrisë

8 Qershor, 2026 8:34 pm
Para
“Kam dy muaj që nuk fle”, Silvinjo: Ndeshja me Poloninë, ndër më të rëndësishmet

Largohet Sylvinho, braziliani nuk është më trajneri i Kombëtares

Lushnje/ Përfshihet nga zjarri tregu i fruta-perimeve

Lushnje/ Përfshihet nga zjarri tregu i fruta-perimeve

Trump: Vendet e NATO nuk kanë bërë asgjë për të ndihmuar SHBA-të

“Marrëveshje ose sulm i plotë”, Trump për Iranin: Po zhvillohen negociata serioze
















TE FUNDIT

Zvërneci, Eugen Beci: Me hetim të SPAK-ut nuk jepet dot më leje

Zvërneci, Eugen Beci: Me hetim të SPAK-ut nuk jepet dot më leje
8 Qershor, 2026

Në emisionin “Opinion” po diskutohet tema “Pse po hetohen nga SPAK tokat në Zvërnec”, zone e cila kohët e fundit...

Lexo më shumë

Klodiana Lala: SPAK po heton për skemë tjetërsimi tokash në Zvërnec

Klodiana Lala: SPAK po heton për skemë tjetërsimi tokash në Zvërnec
8 Qershor, 2026

Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan sot në 8 qershor foli për hetimet e SPAK...

Lexo më shumë

Infleuncerja “sherr” virtual me Zegjine Çaushin: Analfabete funksionale

Infleuncerja “sherr” virtual me Zegjine Çaushin: Analfabete funksionale
8 Qershor, 2026

Pas ironive të një dite më parë të bëra nga kryeministri Edi Rama për blogerët që dalin në protestë dhe...

Lexo më shumë

Rama publikon videon dhe i përgjigjet Iranit: Po merakoseni për shqiptarët?

Inovacioni/ Rama takim me të rinj në Gjirokastër: Rrisim financimin për startup-et
8 Qershor, 2026

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baghaei, i cili komentoi protestat e...

Lexo më shumë
Opinion.al

Kategoritë

Kryesore

Aktualitet

Unë Shkruaj

Komente

Bota 

Sport 

Instabiz

Opinion Web Tv

Lifestyle

Galeri

Rreth Nesh

ON AIR: E hene – E marte – E merkure – 22:15 E ejnte – 21:00

OPINION nga Blendi Fevziu. Emisioni politik me i ndjekur dhe me i preferuar ne ekranet shqiptare.
“Opinion” vjen ne kater takime cdo jave – e hene, e marte, e merkure dhe takimi tradicional i te ejntes mbrema.
Cdo jave ne studion e Tv Klan, komente, analiza, debate, komente, intervista, personazhe, deshmi dhe fakte konkrete. Ngjarjet me te fundit dhe me te rendesishme ne jeten politike dhe sociale te vendit, me debatet, opinionet dhe analizat e te ftuarve ne studio.
Salloni i politikes dhe aktualitetit hap dyert 4 mbremje ne jave, per te degjuar opinionet e politikaneve dhe analisteve. Padron i shtepise, gazetari dhe analisti Blendi Fevziu.

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2026
Dev By Techzero1.com

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2026
Dev By Techzero1.com

// Add this to functions.php or a custom plugin function custom_footer_popup_banner() {
×
}