Prokuroria e Posaçme ka vendosur nën hetim edhe deputeten e Kuvendit të Shqipërisë, në lidhje me hetimet që po zhvillon ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Në njoftimin zyrtar të SPAK bëhet me dije se po hetohet edhe deputetja e PS-së, njëherë kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka.
Deputetja po hetohet për akuzat e veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
“Përveç sa është përmendur mësipër, Prokuroria e Posaçme po kryen hetime paraprake ndaj deputetes së Kuvendit të Shqipërisë, shtetases K. B. Emri i kësaj të fundit është regjistruar në regjistrin përkatës të njoftimeve si person i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, parashikuar nga neni 301 i Kodit Penal. Deri në këtë fazë konstatohet se ekzistojnë të dhëna konkrete të cilat të çojnë tek dyshimi i arsyeshëm se personi nën hetim K. B. ka kryer veprime aktive të kundërligjshme të cilat kanë interferuar me hetimin e organit procedues në lidhje me procedimin penal nr. 27 të vitit 2024”, thuhet ndër të tjera në njoftimin zyrtar të SPAK.