Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde vlerësoi, se donacioni siguron proces zgjedhor të sigurt, fuqizon organet e administrimit të zgjedhjeve dhe rrit besimin e publikut.
Kanë mbetur edhe tri ditë para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në Kosovë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur ndërkohë, se janë bërë të gjitha përgatitjet që ditën e dielë, 09.02 të zhvillohet procesi zgjedhor. 28 forca politike garojnë në këto zgjedhje, prej të cilave 20 parti politike, pesë koalicione, dy lista qytetare dhe një kandidat i pavarur. Të drejtë vote kanë rreth dy milionë votues, prej të cilëve 105 mijë janë qytetarë që votojnë jashtë Kosovës. KQZ, njoftoi se tashmë janë shtypur edhe fletëvotimet me një numër total prej 1,752,650 fletëvotimesh, numër ky më i vogël sesa numri i votuesve.
Pse ka më pak fletëvotime se votues?
Numri më i vogël i fletëvotimeve lidhet me faktin, se në të gjitha zgjedhjet e mëparshme dalja e qytetarëve në zgjedhje nuk ishte me shumë se 50% e votuesve me të drejtë vote. “Sipas vendimit të KQZ-së janë shtypur 1.752.650 fletëvotime, prej të cilave 1.664.100 për votimin në vendvotime të rregullta, 28.450 për votimin me kusht; 38.650 për votimin e personave me nevoja të veçanta dhe si fletëvotime rezervë; dhe 21.450 për votimin në përfaqësi diplomatike”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.
Bazuar në Listën Votuese të certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve numri i shtetasve të Kosovës me të drejtë vote është 2.075.868 votues, prej të cilëve 1.970.944 votues janë votues që i takojnë Listës Votuese brenda Kosovës dhe 104.924 votues janë pjesë e Listës Votuese jashtë Kosovës. “Andaj, sipas vendimit të KQZ-së, 323.218 apo 15.57% fletëvotime do të jenë më pak se numri i votuesve. Kjo është një praktikë e ndjekur nga KQZ edhe në proceset e kaluara zgjedhore”, tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Rohde: Të sigurohet proces zgjedhor i sigurt
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pranoi një donacion me server dhe pajisje nga Gjermania, pajisje përcjellëse që do të ndihmojnë për Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve. Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, tha se ky donacion siguron proces zgjedhor të sigurt, fuqizon organet e administrimit të zgjedhjeve duke rritur besimin e publikut. Rohde shprehu bindjen e tij se procesi zgjedhor i së dielës do të zhvillohet pa vështirësi.
“Demokracia dhe zgjedhjet e lira janë themeli i një shoqërie prosperuese. Ne dëshirojmë të fuqizojmë të ardhmen tonë dhe demokracinë që siguron lirinë individuale për të gjithë ne. Që nga shpallja e pavarësisë, Kosova ka bërë përparime të madh në ngritjen dhe demokratizim. Prandaj digjitalizimi i procesit zgjedhor do të jetë kyç për këtë progres. Ky donacion prej më shumë se 140 mijë eurosh siguron që edhe këto zgjedhje aktuale dhe në të ardhmen të jenë të sigurta në Kosovë”, tha ambasadori Rohde. Ai u shpreh i bindur, 100%, se ditën e dielë Kosova do të ketë zgjedhje pa vështirësi.
Rritje e standardeve zgjedhore në Kosovë
Vlerësim për donacionin gjerman vjen nga KQZ. Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se “kjo mbështetje e shtetit gjerman do të ndikojë në përmirësimin e infrastrukturës dhe avancimin e standardeve zgjedhore në Kosovë”. “Pranimi i këtyre serverëve modern shënon zhvillim të mëtejshëm të infrastrukturës së KQZ-së dhe është vazhdimësi e procesit të digjitalizimit të operacioneve zgjedhore. Kjo mbështetje është e çmuar dhe do të ndikojë në përmirësimin e infrastrukturës tonë dhe avancimin e standardeve zgjedhore në Kosovë. Gjithashtu, duke pasur parasysh rolin e KQZ-së, ky donacion është një investim i madh edhe në integritetin e procesit zgjedhor dhe në besimin e qytetarëve ndaj procesit zgjedhor”, tha Radoniqi, i cili së bashku me ambasadorin gjerman Jörn Rohde, inkurajuan qytetarët me të drejtë vote që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese dhe të dalin të votojnë ditën e dielë.
Fushata zgjedhore në kulmin e saj
Ndonëse kanë mbetur vetëm edhe tri ditë deri në mbajtjen e zgjedhjeve, subjektet politike po vazhdojnë fushatën zgjedhore ku nuk mungon gjuha nxitëse dhe e urrejtjes ndërmjet kundërshtarëve politikë. Rrjeti i organizatave joqeveritare që monitoron procesin zgjedhorë, DnV, thotë se “ka vazhduar përdorimi i gjuhës nxitëse dhe të urrejtjes nga partitë politike”, dhe për këtë shkak është shtuar edhe numri i gjobave ndaj tyre nga Paneli për Ankesa dhe Parashtresa PZAP. Shifra e gjobave ndaj partive politike tashmë ka arritur në rreth gjysmë milioni euro. “Numri i aktiviteteve ku është përdorur gjuhë fyese, nxitëse apo e urrejtjes, pothuajse është dyfishuar”, sipas DnV.
Edhe Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), u ka kërkuar subjekteve politike që të mbrojnë të dhënat personale të qytetarëve gjatë fushatës zgjedhore. Ajo kërkon nga subjektet politike “zbatimin e detyrimeve ligjore për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve duke mos përdorur dhe ekspozuar të dhënat personale në komunikimet nëpërmjet postës elektronike (e-mail), mesazhet (SMS) dhe thirrjeve telefonike, pa pëlqim paraprak”./DW