Sulmi i FdI ka nisur tashmë, përmes gojës së udhëheqësve më të lartë të grupeve parlamentare. Dhe, sipas burimeve të larta të qeverisë, pas fjalëve do të vijnë edhe veprimet. Një ndër ndërhyrjet që po shqyrton ekzekutivi i Giorgia Meloni është një masë e re për gjyqtarët që merren me çështjet e emigracionit. Përsëri, për të mbajtur në këmbë qendrat e emigrantëve në Shqipëri, që sërish u boshatisën pas vendimit të Apelit të Romës. Pas amendamentit të fundit të nëntorit mbi dekretin për flukset, ekzekutivi po përgatit një dekret të dytë. Dekreti është në duar të Ministrisë së Drejtësisë, së bashku me Pallatin Chigi, ku dosja po ndiqet nga nënsekretari Alfredo Mantovano.
Qëllimi është që të shmanget që në Gjykatat e Apelit, të cilat tani janë të ngarkuara me miratimin e qëndrimit për këtë çështje, të mos kalojnë të njëjtit gjyqtarë të “seksioneve të emigracionit” që u shkrinë në fund të vitit. Këto seksione deri tani kanë anuluar gjithmonë qëndrimet e emigrantëve në kampin në Gjadër.
“Të gjithë 5 gjyqtarët që nënshkruan vendimet e Gjykatës së Apelit të premten, duke vendosur largimin e 43 emigrantëve nga kampi i Gjadrit, vijnë nga seksioni i specializuar i Gjykatës së Romës,” është sulmi i nënshkruar dje nga grupet e FdI në Dhomën e Dergjeve dhe Senat, Galeazzo Bignami dhe Lucio Malan. Ata zhvillojnë tezën kështu: “Qeveria dhe Parlamenti kaluan kompetencën te gjykata e apelit për ta larguar nga seksionet e gjykatës për emigracionin dhe ata po kalojnë masivisht: një shaka e Parlamentit.” Këto fjalë, për PD-në, tingëllojnë si “kërcënim shqetësues ndaj gjyqtarëve,” siç thotë përgjegjësja për Drejtësinë, Debora Serracchiani.
Pavarësisht kësaj, ekzekutivi është në nxitim. Dekreti i ri pritet që të shërbejë pikërisht për këtë: të shmangë që gjyqtarët e seksioneve të emigracionit të rikthehen të gjykojnë mbi qëndrimet në gjykatat e apelit. Si? Duke ndaluar shprehimisht këtë lëvizje të stafit mes zyrave (por shumë në qeveri kanë dyshime për mundësinë e zbatimit të një veprimi të tillë) ose duke futur një kriter të formuluar siç duhet, si “mosha”, që indirekt do t’i përjashtonte ata. Pse po bëhet kjo? Arsyeja është e qartë: qeveria është e bindur se bëhet fjalë për “gjyqtarë të politizuar”, të cilët duhet të përjashtohen nga vendimet.
Megjithatë, jo të gjithë në ekzekutiv janë të bindur që një dekreti i ri është i dobishëm për këtë çështje. Ka edhe nga ata që duan të presin se si do të shprehet Gjykata e Drejtësisë e BE-së, që do të mblidhet në seancë më 25 shkurt. Me këtë vendim që pritet në pranverë, ministri i ri për Çështjet e BE-së, Tommaso Foti, po bisedon me partnerët e BE për të marrë mbështetje për qëndrimin italian. Ai ka marrë mbështetje nga Franca, si dhe nga Danimarka.
Ndërkohë, Ministria e Brendshme nuk do të bëjë apel në Kasacion kundër vendimit të së premtes. Do të ishte e panevojshme. Përballë vendimit të tretë për largimin e emigrantëve nga Shqipëria, ministri i brendshëm italian Matteo Piantedosi ka vendosur të shtojë përpjekjet në nivel evropian për të parakaluar hyrjen në fuqi të “Paktit të Azilit dhe Migracionit”, i cili do të ndryshojë ligjet për procedurat e përshpejtuara të kufirit, duke i aplikuar ato në të gjithë 27 shtetet anëtare për emigrantët që vijnë nga shtete të sigurta, të cilat kanë një përqindje më të ulët se 20% të kërkesave për azil të pranuara. Përveç kësaj, modeli i Shqipërisë do të kombinohet me modelin trumpian, duke krijuar qendra në shtete të treta për të mbajtur emigrantët ilegalë që janë në Evropë, deri sa të kthehen në vendet e tyre.
Deri më 25 shkurt është e vështirë të ketë një udhëtim të katërt drejt Shëngjinit, duke pasur parasysh ‘kërcënimin’ nga Gjykatës së Audituesve, tani që mbrojtësit e disa emigrantëve të detyruar të udhëtojnë shpesh, kanë shpallur synimin e tyre për të kërkuar kompensim për ndalim të padrejtë.
Propozimin e tij, Matteo Piantedosi e ka paraqitur të enjten përpara kolegëve të Këshillit të BE-së për “Çështjet e Brendshme dhe Drejtësisë”, të mbledhur në Varshavë. “Ky qëndrim,” thonë nga Ministria e Brendshme, “është gjerësisht e mbështetur nga kolegët e pranishëm. Partnerët evropianë, në përputhje të plotë me Komisionin, po mendojnë të forcojnë rregullat e BE-së që mbështesin procedurat e kufirit, të aplikuara gjithashtu në Shqipëri, jo vetëm duke parakaluar hyrjen në fuqi të disa rregulloreve të Paktit, por gjithashtu me zgjidhje inovative.” Dokumentet e diskutuara në Varshavë përfshijnë një referencë për protokollin Itali-Shqipëri. Pavarësisht refuzimeve, për Ministrinë e Brendshme ky mbetet ende “një model për të nisur”./La Repubblica