Ky është momenti kur shtetasit e shumëkërkuar Plarent Dervishaj dhe Julian Meçaj, mbërrijnë nga Dubai në Rinas.
Policia gjithashtu njofton se është kapur në Gjermani shtetasi Fabio Ballabani.
Më datë 26.02.2005, në Durrës, Dervishaj, dyshohet se në bashkëpunim me persona të tjerë kanë vrarë shtetasin Klodian Saliu, me armë zjarri dhe më datë 27.02.2005 dyshohet se kanë vrarë shtetasit Vajdin Lamaj dhe Artan Arsi, me eksploziv.
Njoftimi:
Policia e Shtetit, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë dhe Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në sajë të punës profesionale hetimore dhe gjurmuese të njësive të specializuara pranë Departamentit të Policisë Kriminale, mundësoi sjelljen nga Emiratet e Bashkuara Arabe në Shqipëri të personave të shumëkërkuar Plarent Dervishaj dhe Julian Meçaj.
Struktura e Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kufitare Rinas, organizuan punën dhe realizuan shoqërimin e dy shtetasve për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Shtetasi Plaurent Dervishaj është person i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar ndaj tij masën “arrest në burg” për “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal” dhe “kryerjen e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.
Më datë 26.02.2005, në Durrës, shtetasi Plaurent Dervishaj, në bashkëpunim me I. T., L. B. dhe L. R. dyshohet se, kanë vrarë shtetasin Klodian Saliu, me armë zjarri.
Më datë 27.02.2005, Plaurent Dervishaj, në kuadër të grupit të organizuar kriminal, në bashkëpunim me subjekte të tjerë të hetuar, përkatësisht E. Sh., I. T., L. B., etj., dyshohet se kanë vrarë shtetasit Vajdin Lamaj dhe Artan Arsi, me eksploziv.
Ndërsa shtetasi Julian Meçaj është person i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar ndaj tij masën “arrest në burg” për “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”, “kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.
Më datë 01.11.2019, në autostradën Durrës-Tiranë, pranë mbikalimit të Shkozetit, është gjuajtur disa herë me armë ndaj automjetit të drejtuar nga Andi Maloku (i cili humbi jetën), ku pasagjer ishin edhe A. N. dhe A. L. Nga hetimet, Julian Meçaj është identifikuar si një nga autorët, duke e kryer këtë krim në bashkëpunim me shtetas të tjerë.
Gjithashtu, si rezultat i shkëmbimit të informacioneve intensive të “Fast Albania” me “Fast Gjermani” është bërë e mundur kapja me qëllim ekstradimi i shtetasit në kërkim ndërkombëtar Fabio Ballabani.
Me vendim të Gjykatës Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ndaj Fabio Ballabanit është vendosur masa e sigurisë “arrest me burg” për veprat penale “goditje ndaj pjesëtarëve të familjes të një personi, i cili kryen një detyrë shtetërore në sistemin e drejtësisë, e kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal”, “grup i strukturuar kriminal”, “kryerja e veprave penale nga grup i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.