Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ka prezantuar planin e masave për furnizimin me energji elektrike gjatë sezonit turistik.
Në prani të Zëvendëskryeministres, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, administratori i OSSH, Blendian Dalipi dhe drejtuesit e rajoneve në të gjithë vendin, raportuan sot planin e masave për një menaxhim sa më mirë të situatës gjatë gjithë sezonit.
Balluku bëri të ditur se këtë vit parashikohet të ketë një fluks më të madh vizitorësh, ndaj dhe angazhimi duhet të jetë maksimal.
“Sezoni ndryshe nga vitet e tjera ka filluar tashmë, pavarësisht se ne po mblidhemi në javën e parë të qershorit, jemi të gjithë në dijeni që fluksi i turistëve ka nisur që në fillim të muajit maj dhe do të përfundojë ndoshta në fund të tetorit nga gjithë informacionet që ne kemi. Sigurisht janë ngritur task forcat që janë në terren, sigurisht që ka një impenjim nga të gjithë grupet e punës, por OSSH-ja luan një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm për të gjithë mbarëvajtjen e këtij sezoni”, theksoi Balluku.
Ajo theksoi se vëmendja kryesore do të jetë e fokusuar përgjatë vijës bregdetare, por pa lënë mënjanë edhe zonat malore ku në vitet e fundit ka pasur një zhvillim të madh të turizmit.
“Vëmendja kryesore qëndron në ultësirën perëndimore, si zona me dendësinë më të madhe të hoteleve dhe njësive tregtare që i shërbejnë turizmit, por nuk duhet lënë pas dore edhe fakti që tashmë njësi hotelerie kemi edhe në zonat malore, të cilat nga ana e investimeve nuk kanë të njëjtin sasi investimesh siç ka pasur pjesa e ultësirës perëndimore apo qytetet kryesore. Kështu që atje ndoshta duhet vëmendje më e shtuar me grupet e punës dhe grupet e gatshme që duhet të kemi në terren. Koordinimi ka qenë i mirë deri më sot”, tha Balluku.