Ka përfunduar Kampionati Botëror i Shahut për fëmijë që u zhvillua në qytetin e Durrësit prej 3 ditësh.
Mbrëmjen e sotme u zhvillua ceremonia e dorëzimit të medaljeve fitueseve të tre vendeve të para për vajza dhe djem në disiplinat Rapid dhe Blitz.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Federata Shqiptare e Shahut ka bërë të ditur emrat fitues të këtij kampionati.
Fituese e kampionatit botëror të shahut në grupin e vajzave U12 u shpall Megan Althea Paragua nga USA.
“Megan Althea Paragua, 2 herë KAMPIONE në Botërorin e Fëmijëve FIDE 2024, për U12! REZULTAT FANTASTIK! Urime, Megan Althea Urime familjes dhe trajnerëve të saj”, shkruan Federata Shqiptare e Shahut.
Në këtë kampionat bënë figurë mjaft të mirë duke arritur rezultate të larta shahistë nga vendet aziatike si Kazakistani, India, Vietnami etj.
Kampionati bëri bashkë më shumë se 380 fëmijë nga 48 vende të botës. Një organizim masiv, duke përfshirë edhe shoqëruesit, e kthyeu Shqipërinë në qendrën e shahut gjatë këtij viti. Të vegjlit garuan mes tyre në disiplinën ‘Rapid and Blitz’.