Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha më 25 mars se sulmi terrorist në sallën e koncerteve, Crocus, në afërsi të Moskës, u krye nga islamistët radikalë.
Duke folur gjatë një takimi me zyrtarët qeveritarë, Putini tha se vrasjet u kryen nga ekstremistët “ideologjia e të cilëve, bota islamike, ka shekuj që lufton”.
Së paku 139 njerëz u vranë dhe më shumë se 180 të tjerë u plagosën gjatë sulmit në sallën e koncerteve, Crocus, në afërsi të Moskës më 22 mars, sipas zyrtarëve.
Putini nuk e përmendi Shtetin Islamik, i cili e mori përgjegjësinë për këtë sulm, por përsëri u përpoq t’i përfshijë Shtetet e Bashkuara dhe Ukrainën, pa dhënë asnjë dëshmi të vetme.
“Ne e dimë se krimi u krye nga islamistët radikalë… por, ne gjithashtu e shohim se Shtetet e Bashkuara po tentojnë t’i bindin satelitët e vet dhe vendet e tjera të botës se gjoja nuk ka asnjë gjurmë të Kievit në sulmin terrorist në Moskë”, tha Putin.
Kievi dhe Uashingtoni i kanë hedhur poshtë pretendimet e Putinit.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e mohoi çdo përfshirje në këtë sulm, duke thënë se Putini gjithmonë kërkon ta fajësojë “dikë tjetër”.
“Përsëri, ai e akuzon Ukrainën. Krijesë e sëmurë dhe cinike. Të gjithë janë terroristë për të, përveç vetes së tij, edhe pse ai ka dy dekada që ushqehet me terror”, tha Zelensky.
Më 24 mars, Shtëpia e Bardhë tha se përgjegjës i vetëm për sulmin në Moskë është Shteti Islamik Korasan.
Nuk ka pasur aspak përfshirje ukrainase në këtë”, tha zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë së Shtëpisë së Bardhë, Adrienne Watson.
Më 25 mars, presidenti francez Emmanuel Macron tha se Franca ka informata që tregojnë se “Shteti Islamik është plotësisht përgjegjës” për sulmin.
Macron tha se ishte një degë e Shtetit Islamik ajo që e “planifikoi dhe e kreu” sulmin, duke shtuar se i njëjti grup terrorist kishte planifikuar sulme në Francë.
Putin tha se hetimet duhet ta zbulojnë se kush e urdhëroi sulmin, duke shtuar se është e nevojshme të mësohet pse terroristët “tentuan të ikin në Ukrainë dhe kush po priste atje për ta”.
Më 23 mars, Putini tha se katër burrat të armatosur u arrestuan duke tentuar të ikin në Ukrainë, e cila, sipas tij, “kishte përgatitur një dritare për ta për kalimin e kufirit”.
Putini nuk dha asnjë dëshmi për t’i mbështetur këto pretendime./REL