Në një aktivitet që shënoi 111-vjetorin e themelimit të Policisë së Shtetit, ministri i Brendshëm, Taulant Balla garantoi rritje pagash për efektivët.
Gjatë fjalës së tij ai tha se policinë e presin sfida, teksa paralajmëroi që shumë shpejt dhe në Policinë e Shtetit do të ketë modele të përdorimit të inteligjencës artificiale.
Ndër të tjera theksoi se përveç pagave, punonjësit e Policisë së Shtetit do të përfitojnë dhe kredi të buta.
“Keni vëmendjen e qeverisë. Sapo kaluam kreditë e buta për disa punonjës të policisë, dhe do të vijojmë me 300 të tjerë. Po ashtu do të vijojmë të mbështesim.
Do t’i sigurojmë shtëpi për familjen e tyre. Po detajojmë dhe vlerësimin se sa do të jetë rritja e pagave për punonjësit e policisë së Shtetit dhe për punonjës të tjerë, të sektorit të Shëndetit Publik apo për FA-të, dhe administratën publike. Kërkesa ime është që në këtë rritje historike pagash për sektorin publik që do të realizojmë për sektorin publik në 1 korrik, forcat e policisë të jenë më të vlerësuar. Do të kemi shumë shpejt dhe në Policinë e Shtetit modele të përdorimit të inteligjencës artificiale. Një prej indikatorëve më kuptimplotë të rritjes së besimit te qytetarëve te policia, janë thirrjet në numrin 112”, tha Balla.