Zëvendës-kryeministrja dhe njëherazi ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka inspektuar këtë fillim viti kantierin e autostradës Thumanë-Kashar, ku ka nisur procesi i asfaltimit.
Teksa e cilësoi këtë projekt me rëndësi jetike për zhbllokimin e trafikut nga Veriu drejt qendrës dhe Jugut të vendit, Balluku shtoi se kjo do të jetë një autostradë e kategorisë A me dy korsi shpejtësi dhe një korsi të tretë emergjence me gjërësi 3 metra.
“Ne krenarisht themi që kjo është një vepër e rëndësishme pasi do të zhbllokojë pjesën më të madhe të trafikut që është pjesa e Fushë-Krujës por edhe trafikun në nyjën e Aeroportit të Rinasit. Ne gjithashtu ndihemi krenarë pasi kjo është autostradë e kategorisë A me gjerësi 11.75 që do të ketë dy korsi shpejtësi, një korsi të tretë me gjerësi 3 metra emergjence”-tha Balluku.
Balluku u ndal edhe te shpronësimet e banorëve të zonës ku kalon gjurma e këtij aksi rrugor, duke nënvizuar se pronarët do të kompensohen për tokat e tyre.
“Jam e sigurt që banorët e Bërxullës me punën e mirë që bën ARRSH-ja dhe Agjencia Kombëtare e Shpronësimeve do të jenë të sqaruar dhe do të kompensohen për tokat e tyre, për pronësitë që ata kanë. Projektet që janë në të mirë të komunitetit dhe të gjithë shoqërisë shqiptare duhet të ecin përpara dhe nuk pengohen për asnjë arsye, ndaj edhe ekziston ligji i shpronësimeve”- -tha Balluku.
Sakaq, kreu i i ARRSH-së, Ervis Berberi duke pasur parasysh ecurinë e punimeve nënvizoi se autostrada do të jetë gati për qarkullim për sezonin e ri turistik.
“Kemi 11 ura, mbi 100 vepra të tjera arti që janë kanale kulluese të ndërmjetme dhe kemi gjithashtu 6 nënkalime. Për çdo aks rrugor që ndërpritet, që i shërben komunitetit ne kemi ndërtuar nënkalime. 6 nënkalime dhe mbikalime. Dhe dy nyjet e mëdha, që janë nyja e Rinasit dhe nyja e madhe që kryqëzohet me autostradën Tiranë-Durrës. Kemi punuar me ndërtimin e bazamenteve dhe pastaj e liruam trafikun. Janë përgatitur të gjithë trarët për urat, nga drejtimi i jugut për në veri shihet se janë duke u vendosur trarët, të tjerat janë duke u hedhur soletat. Kompania pas 15 ditësh do të punojë me dy turne nga 12 orë për të kapur afatin që i kemi vendosur, që është sezoni turistik i këtij viti, që duhet të na kapi me një rrugë në funksionim të plotë”-tha Ervis Berberi.