Shqipëria njohu këtë të shtunë kundërshtarët e saj në Euro 2024, në shortin që u hodh në Hamburg dhe u transmetua drejtpërdrejtë në Tv Klan. Kështu, ekipi ynë do të jetë në grupin B me Spanjën, Kroacinë dhe Italinë. Takimi i parë do të jetë pikërisht me kombëtaren italiane.
Gazetari Blendi Fevziu, i cili e ndoqi në sallë këtë short, në një lidhje të drejtpërdrejtë me studion në Tv Klan tha se ky është shorti më i mirë që mund të na binte. Ai shpjegoi edhe përse.
“Na ra shorti më i fortë i mundshëm, në momentin e parë ishte shokues. Nga ana tjetër, duket se nga ana mediatike është padyshim shorti më i mirë, sepse do jemi në qendër të vëmendjes. Të luash kundër Italisë, Spanjës, Kroacisë, dy kampione bote, një nënkampione bote, nuk besoj se ka fat më të madh për t’u përballur. Shqipëria nuk do shkonte për t’u shpallur kampione Europe që të mundohej të gjente një short më të lehtë. Shqipëria po shkon dhe ka mundësinë të bëjë figurën më të mirë të mundshme. Ekipi ynë ka mundësinë të tregojë veten në fushë”.
“Imagjinoni një ekip shqiptar që luan si i barabartë me Italinë, Spanjën, Kroacinë, ka dhe ka gjithë mundësitë të fitojë kundër tyre”.