Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka mbyllur hetimet dhe ka çuar në gjyq 13 persona, që akuzohen për kultivim droge në fshatrat e Krujës.
Bëhet fjalë për të pandehurit: Bujar Sefa (Xaka), Skënder Velja, Lavdërim (alias Lulzim) Alimani, Vaid Taka, Edison Xaka, Xhemal Zogu, Asim Pulaci, Saba Shehi, Armand Dervishi, Agron Asllanaj, Shkëlqim Ismaili, Ahmet Pulaci dhe Haxhi Murati, të akuzuar për kryerjen e elementëve të veprave penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal; “Prodhim dhe shitje e narkotikëve” kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal; “Grup i strukturuar kriminal”; “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”; “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”; “Mbajtja pa leje e municionit të armëve të gjuetisë” si dhe “Shpërdorim i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar e provuar se kultivimi i disa parcelave me bimë narkotike kryhej nga 2(dy) grupe kriminale të organizuar në disa zona të Bashkisë Krujë, Njësia Administrative Cudhi, fshatrat Noj, Shkretë, Rranxë, Bruz Mal, Bruz Zall zona këto kufitare me njëra-tjetrën.
SPAK njofton se grupet kriminale që kanë vepruar në këtë zonë, jo vetëm që njihen mes tyre por, kanë patur mbështetjen e strukturave të policisë vendore si dhe ato të administratës lokale, kryesisht punonjësve të policisë dhe kryepleqve të përfshirë dhe ato në aktivitetin e kultivimit të kanabisit.
Kultivimi kryhej kryesisht në sipërfaqe tokash me pyll në pronësi shtet, të cilat shfrytëzohen për kullotë nga banorët e zonës.
Nga hetimet ka rezultuar gjithashtu se drejtuesit e këtyre grupeve kriminale me qëllim kujdesin dhe ruajtjen e bimëve narkotike kanë punësuar disa punëtorë, kanë ngritur sisteme vaditje, moment pas së cilit lënda narkotike është grumbulluar dhe përpunuar në vende të posaçme me qëllim hedhjen në treg.