Ndryshimet ligjore të miratuara nga qeveria për studentët e Mjekësisë, por edhe futja e testit të informatizuar shtesë, ka reduktuar numrin e maturantëve që kanë aplikuar këtë vit për programin Mjekësi e Përgjithshme.
Vitin e shkuar në këtë degë, kanë aplikuar mbi 3 mijë maturantë, ndërsa këtë vit janë 40% më pak.
Edhe pse ka ulje të aplikantëve në degën e Mjekësisë, në të gjitha degët e Universitetit të Mjekësisë janë mbi 7500 aplikime, ku shumica janë në degën e Infermierisë. Ndërsa degët më të preferuara të të rinjve mbetën Informatika dhe Inxhinieritë.
Sipas drejtorit të Rrjetit Akademik Shqiptar, të cilët administrojnë programin e aplikimeve në universitet, interes nga maturantët kanë patur dhe për degët e shpallur me interes kombëtar edhe ato me karakter profesional.
Aplikimet në universitetet e vendit po vinë në ulje vit pas viti për shkak të rënies së numrit në tërësi të maturantëve. Ndërkohë që një numër i lartë i tyre zgjedhin të studiojnë jashtë vendit. Këtë vit në universitet kanë aplikuar 19,600 maturantë, duke pësuar një ulje me mbi 7% në krahasim me vitin e shkuar që ishin 21 mijë maturantë, ndërsa dy vite më parë ishin 23 mijë maturantë./tvklan