Kryeministri Edi Rama, në një aktivitet të organizuar për 30 vjetorin e Gjykatës Kushtetuese përmendi disa nga vendimet e saj që sipas tij kanë lenë shenja në historinë e “Kushtetueses”.
Megjithatë, kreu i qeverisë u shpreh se Kushtetuesja shpesh herë shpërdorohet nga aktorët të tretë të cilët sipas Ramës e thërrasin me vend dhe pavend të japë vendime.
“Gjykata Kushtetuese është një ngrehinë me dritë dhe hije, me vula vendimesh të diskutueshme, por njëkohësisht dhe shkëlqime deri në të lavdishme. Kush mund ta harrojë rrëzimin e marrëveshjes së detit, në shkelje të sovranitetit. Një vendim epik për historinë e një Gjykate Kushtetuese. 30 vjet janë një fragment i shkurtër, një kohë që Gjykatën Kushtetuese e ka përvijuar si zbutëse të efekteve të tranzicionit, por edhe për zgjatjen e tij. Është krijuar një arsye e vrazhdë sikur i gjithë aktiviteti i Gjykatës Kushtetuese konsiston në një kalim pasash mes saj dhe Kuvendit dhe së fundmi deri para pak kohësh, larg qoftë me presidentin.
Kthime, gjysmëkthime, vendime për rishkrime ligjesh në fokus të debatit forcave politike, në pritje të një arbitrazhi, që ndonëse me konture juridike përqendrohet pashmangshmërisht në arsyetime politike apo ndonjëherë mjaftohet thjesht me balancime politike. Dhe natyrisht që këtu nuk është faji i Kushtetuese, por i shpërdorimit të saj nga aktorë të tretë, të cilët thërrasin në ring vend e pavend Kushtetuesen, e cila shtrëngohet në debate që janë të penguara nga presioni politik dhe në vendime që pastaj janë drobitëse për ata që përpiqen t’i lexojnë deri në fund”, tha mes të tjerash Rama.