Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result
KONTAKT
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë
Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result

1933/ “Pjetër Budi rishkruante letrën e dërguar 4 shekuj më parë Dukës së Savojës”

2025/12/28 at 12:11 PM
në -Kulturë, Te Fundit
Kohë leximi: 6 min
A A
1933/ “Pjetër Budi rishkruante letrën e dërguar 4 shekuj më parë Dukës së Savojës”

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 28 Dhjetor 2025


 

Revista belge “Touring Club de Belgique” ka botuar, me 15 dhjetor 1933, në faqet n°381-384, letrën e rishkruar 4 shekuj më vonë nga Pjetër Budi për Dukën e Savojës, imagjinuar nga Dr. Stephan Ronart pas vizitës së tij në Shqipëri.

Turizmi në Shqipëri

Burimi : Touring Club de Belgique, 15 dhjetor 1933, faqe n°381

Nga fundi i shekullit XVI, Imzot Pjetër Budi, ipeshkëv i Vlorës dhe njeri letrash me reputacion të lartë, i shkruante mikut të tij, dukës së Savojës :

« Shqipëria është një vend shumë pjellor, që prodhon gjithçka për të cilën njerëzit kanë nevojë për të jetuar të lumtur. Aty mbizotëron një klimë e butë dhe e shëndetshme, si askund tjetër, ndaj shumica e njerëzve arrijnë një moshë patriarkale. Ky vend është vërtet i mrekullueshëm, duke prodhuar frutat më të larmishme, verëra aromatike të pashoqe, ullinj dhe grurë. Lumenjtë e shumtë dhe liqenet e tij janë të pasura me peshq me shije të shkëlqyer. Me pak fjalë, kudo që të ndodhesh në këtë krahinë të lumtur, qoftë në plazhet ranore të detit apo në male, gjithandej do të besoje se ndodhesh në parajsën tokësore ! »

Po të jetonte sot Imzot Pjetër Budi, ai nuk do ta shprehte ndryshe mendimin e tij, por do t’i shtonte përafërsisht edhe këtë :

« Shqipëria është një vend që nuk rrethohet me një mur kinez formalitetesh të vogla policore apo fiskale ; hyrja në të është e lehtë dhe e përshtatshme. Ajo i trajton vizitorët e saj si mysafirë të çmuar, si miq të përkëdhelur, krenare për mikpritjen e saj të vjetër e të famshme. Ajo ruhet mirë të mos i profanojë bukuritë e natyrës së saj madhështore me tabela reklamash të rreshtuara përgjatë rrugëve, as të pengojë hyrjen e lirë në kështjellat e saj të lashta, në manastiret piktoreske, në kishat e vjetra dhe në xhamitë e saj të hijshme me vendosjen e sporteleve për shitjen e biletave të hyrjes. Shqipëria është një vend që, në një zhvillim të shpejtë, e ka kapërcyer epokën e hekurudhave, por që, në këmbim, ka ndërtuar një sistem të plotë rrugor, i cili mundëson të arrihen me autobus, me një kosto të ulët, edhe cepat më të largët ; ndërsa në mënyrë luksoze, sipas shijes dhe xhepit të secilit, mund të bëhen ekskursione me automjete me qira shumë komode.

Shqipëria, do të shtonte më tej Imzot Budi, mund të përshkohet nga një skaj në tjetrin në siguri të plotë, të eksplorohet në luginat e saj të egra, në pyjet e saj madhështore e të vetmuara, në humnerat e thella, në majat e heshtura, për javë të tëra, më këmbë ose mbi shpinën e atyre kuajve të vegjël malorë me hap të pagabueshëm, pa u mërzitur kurrë, pa reshtur së gjeturi, çdo ditë e çdo orë, surpriza të reja në gjirin e një natyre të pashtershme në pasuri dhe bukuri piktoreske. Livadhet alpine jehojnë nga këngët e barinjve dhe meloditë melankolike të fyellit ; shekujt mezi e kanë ndryshuar atmosferën e fshatrave që nga koha e Virgjilit; zakonet, festat dhe veshjet e malësorëve kanë ruajtur tërheqjen dhe hijeshinë që kishin qysh në mesjetë, madje edhe në epokën klasike.

Burimi : Touring Club de Belgique, 15 dhjetor 1933, faqe n°382

Gjuetia aty është pasionante ; gjahu — derr i egër, shqiponjë, dre, pelikan, çafkë — është i bollshëm. Alpinist, do të ngjitni maja të paprekura ; piktor, do të zbuloni, me një kënaqësi që përtërihet vazhdimisht, ngjyra dhe motive me një origjinalitet tërheqës ; dashamirës i gjërave të lashta ose të çuditshme, do të gjeni punime druri të gdhendura, qëndisma, monedha, gurë të skalitur, armë dhe sende zbukurimi, që do të pasurojnë koleksionet tuaja. »

Pjetër Budi do të thoshte edhe:

« Shqipëria ju fton ; merrni mëngjesin tuaj të parë në Romë ose në Athinë ; ngjituni në avion dhe drekën do ta gjeni në kryeqytetin tonë, Tiranë. Qëndroni tek ne, sipas dëshirës tuaj, ditë, javë, muaj — nuk do të njihni mërzinë. Do të vizitoni Tiranën, qytetin në lindje me sheshet e saj të mbushura me lule, bulevardet e gjera dhe të pastra, rezidencën e oborrit mbretëror, selinë e misioneve të huaja, qendrën e jetës së shoqërisë dhe intelektuale, që ka ditur të ruajë, megjithatë, në lëvizjen e jetës moderne, në pazarin dhe lagjen e saj të vjetër, hijeshinë plot ngjyra të një epoke tjetër ; Shkodrën, kryeqytetin e Mbretërisë së lashtë Ilire, në këmbë të fortesës së saj Rozafat, që ka parë të luftojnë rreth saj ilirë, romakë, sllavë, venecianë, turq, deri te ushtritë e Luftës së Madhe ; do të admironi piktoreskun me të cilin qyteti lejon rrugicat e ndërlikuara të pazarit të tij të shumëngjyrshëm të lahen në ujërat blu të liqenit të tij. Nga këtu, do të filloni ekskursione në Alpet shqiptare, në Mirditë, rajoni më piktoresk i vendit, ndoshta madje edhe i Europës, atdheu i Mirditorëve, që kanë ruajtur brenda maleve të tyre, me guximin dhe mikpritjen e tyre të njohur, jo vetëm kostumin e pasur kombëtar, por edhe folklorin, zakonet dhe traditat popullore, përveç njërit, që ka shuar përpjekjet e qeverisë : gjakmarrja, dhe kjo padyshim nuk është për t’u vajtuar. Kruja, Albanopolisi i Ptolemeut, fortesa e pathyeshme e Skënderbeut, mbrojtës heroik i krishterimit kundër pushtuesve myslimanë, e ngjitur në muret vertikale të shkëmbit gri, është muzeu i gjallë, pothuajse i pandryshuar, i një Shqipërie mesjetare, që bie në kontrast të veçantë me telefonin dhe makinat e shkrimit të vendosura në bashkinë e saj. Durrësi, Epidamni i Grekëve, Dyrrahu i Romakëve — kudo në vend, do të prekni kujtime klasike — bashkon në mënyrë kurioze molet e tij moderne, portikët, ndërtimet detare, dyqanet dhe magazinat me kështjellat dhe kullat, bastionet, mbetjet e mureve të rrethimit, që Bizantinët, Venecianët dhe Turqit i kanë fortifikuar njëri pas tjetrit.

Burimi : Touring Club de Belgique, 15 dhjetor 1933, faqe n°383

Doni të vizitoni edhe qytetet e tjera ? Të gjithë ofrojnë magji të ndryshme ; secili ka veçantinë e tij, shenjat karakteristike. Ata janë : Elbasani, i fshehur mes ullinjve me gjethe të shndritshme, të gjelbër-argjendtë, dhe me kopshtet që buzëqeshin, i pasur me shtëpi jashtëzakonisht piktoreske, me dekorime të brendshme të pikturuara dhe të gdhendura hollësisht ; Llixha, me shtatëdhjetë burime sulfurore dhe radioaktive, që po përgatitet të bëhet një stacion balnear me famë botërore ; Berati, qyteti me dritare të panumërta, që ngjitet mbi muret pothuajse vertikale të një gryke gëlqerore, me bukurinë e malësisë së egër, me emrin e pagëzuar “Pulcheriopolis” nga themeluesi i tij Teodosi i Ri ; Korça, qytet tregtar dhe qendër intelektuale, ku do t’ju flasin për Bostonin dhe New York-un, po aq familjarisht sa për Tiranën ose Durrësin ; në fakt, pothuajse çdo familje dërgon djemtë e saj për një qëndrim disa vjeçar. Doni të flas për Pogradecin, për liqenin e Ohrit dhe ujërat e tij të mrekullueshëm, të pastër dhe me nuanca magjike blu ; për folezat e rrugicave të ngushta dhe të pabarabarta, me shtëpi të pikturuara bardh e kaltër, të Gjirokastrës ; për Vlorën, Sarandën, Tepelenën ; për Voskopojën, që jeton mes rrënojave dhe mbetjeve të një qyteti që dikur kishte më shumë se 60.000 banorë, një bibliotekë të rëndësishme dhe një atelier tipografike me famë ; për Pojanin dhe gërmimet e Apolonisë ; për Butrintin, themeluar nga bijtë e Priamit pas shkatërrimit të Trojës, qytet i lulëzuar në kohën e Grekëve dhe Romakëve, dhe të cilin mbetjet e tij, teatri antik, termat, statujat greko-romake, i bëjnë të mahniten jo vetëm arkeologët, por të gjithë ata që dinë të vlerësojnë pastërtinë e linjave klasike.

Burimi : Touring Club de Belgique, 15 dhjetor 1933, faqe n°384

Doni që t’ju zbuloj edhe pasuritë e tjera artistike dhe natyrore të një vendi kaq afër tuaj dhe kaq të panjohur, të injoruar dhe të neglizhuar ? Jo, nuk do ta bëj, sepse po ju shoh duke marrë tabelën e linjave detare, që ndjekin bregdetet e Dalmacisë dhe Greqisë, që nisen nga portet italiane dhe jugosllave dhe që, të gjitha, ndalojnë në Durrës, Vlorë, Sarandë ; sepse po ju shoh të konsultoni hartat rrugore dhe të studioni rrugët që përshkojnë Shqipërinë duke e lidhur me Greqinë dhe Jugosllavinë, të gjitha të mira, të mirëmbajtura, të gjitha piktoreske ; sepse po ju shoh të hezitoni midis trimotorit të linjës Romë – Tiranë – Selanik dhe hidroplanit Triestë – Durrës !

Konsultohuni, mendoni, zgjidhni. Merrni anijen, avionin ose makinën, por sigurohuni, cilado qoftë zgjedhja juaj, se Shqipëria do t’ju magjepsë, siç ka magjepsur çdo vizitor, kjo Shqipëri kaq e bukur, kaq mikpritëse… dhe kaq pak e njohur ! »

Kështu, me shumë mundësi, do të kishte vazhduar letra e Imzot Pjetër Budit drejtuar dukës së Savojës, nëse do ta kishte rifilluar sot.

Dr. Stephan Ronart

https://www.darsiani.com/la-gazette/dr-stephan-ronart-1933-ja-si-pjeter-budi-do-ta-rishkruante-letren-e-tij-derguar-4-shekuj-me-pare-dukes-se-savojes-per-turizmin-aktual-ne-shqiperi/



Ju sugjerojmë

Berisha mbledh drejtuesit e qarqeve, vendos orën e protestës së 24 janarit
Kryesore

Berisha mbledh drejtuesit e qarqeve, vendos orën e protestës së 24 janarit

14 Janar, 2026 5:30 pm
Përfshirja e SHBA në konfliktin Iran-Izrael, ja kur do të marrë vendimin Trump
Bota

Çfarë veprimesh mund të marrë SHBA në Iran?

14 Janar, 2026 5:21 pm
Franca/ Më shumë vdekje sesa lindje që nga Lufta e Dytë Botërore
Bota

Franca/ Më shumë vdekje sesa lindje që nga Lufta e Dytë Botërore

14 Janar, 2026 3:50 pm
Venezuela “godet” mafien shqiptare, ministri: Operojnë nga Ekuadori
Bota

Venezuela “godet” mafien shqiptare, ministri: Operojnë nga Ekuadori

14 Janar, 2026 3:48 pm
Trump: SHBA të marrë kontrollin e Groenlandës, çdo gjë tjetër është e papranueshme
Bota

Trump: SHBA të marrë kontrollin e Groenlandës, çdo gjë tjetër është e papranueshme

14 Janar, 2026 3:43 pm
Maqedonia e Veriut lehtëson sanksioneve ndaj Rusisë, heq ndalimin e fluturimit për ministrin, Lavrov
Bota

Protestat në Iran, Lavrov: Moska do të vazhdojë të punojë me Teheranin

14 Janar, 2026 3:32 pm
Kush financoi “11 dhjetorin”? Berisha: Hetimi i Kuvendit ka qëllime politike
Kryesore

Kush financoi “11 dhjetorin”? Berisha: Hetimi i Kuvendit ka qëllime politike

14 Janar, 2026 3:23 pm
Rama: Do t’i shesim energji Europës dhe bashkë me miqtë tanë arabë do të bëjmë para
Kryesore

Rama: Do t’i shesim energji Europës dhe bashkë me miqtë tanë arabë do të bëjmë para

14 Janar, 2026 1:26 pm
Polonia: Evropa duhet ta mbështesë Trump, vetëm ai mund ta ndalë Putin
Bota

Polonia: Evropa duhet ta mbështesë Trump, vetëm ai mund ta ndalë Putin

14 Janar, 2026 12:01 pm
U arratis nga spitali/ Kontrolle në Tiranë, Durrës dhe Elbasan për Altin Ndocin
Kronikë

U arratis nga spitali/ Kontrolle në Tiranë, Durrës dhe Elbasan për Altin Ndocin

14 Janar, 2026 11:51 am
Para
Trump akuzon Zelenskyyn: Ti dhe Joe Biden keni lejuar fillimin e luftës në Ukrainë

Sot takimi mes Trump dhe Zelenskyt në Florida, ja ku do fokusohen bisedimet

KQZ: Probleme me energjinë elektrike në disa qendra votimi në Kosovë

KQZ: Probleme me energjinë elektrike në disa qendra votimi në Kosovë

Vlora pa ujë prej 72 orësh

Vlora pa ujë prej 72 orësh
















TE FUNDIT

Berisha mbledh drejtuesit e qarqeve, vendos orën e protestës së 24 janarit

Berisha mbledh drejtuesit e qarqeve, vendos orën e protestës së 24 janarit
14 Janar, 2026

Protesta kombëtare e 24 Janarit, e thirrur nga Partia Demorkatike do të zhvillohet në orën 17:00. Mësohet se ora e...

Lexo më shumë

Çfarë veprimesh mund të marrë SHBA në Iran?

Përfshirja e SHBA në konfliktin Iran-Izrael, ja kur do të marrë vendimin Trump
14 Janar, 2026

Në qershor, Donald Trump luajti në mënyrë të sigurt. Deklaratat e tij rreth një dialogu të mundshëm me Iranin kishin dhënë iluzionin...

Lexo më shumë

Franca/ Më shumë vdekje sesa lindje që nga Lufta e Dytë Botërore

Franca/ Më shumë vdekje sesa lindje që nga Lufta e Dytë Botërore
14 Janar, 2026

Franca ka regjistruar për herë të parë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore më shumë vdekje sesa lindje...

Lexo më shumë

Venezuela “godet” mafien shqiptare, ministri: Operojnë nga Ekuadori

Venezuela “godet” mafien shqiptare, ministri: Operojnë nga Ekuadori
14 Janar, 2026

Ministri i Punëve të Brendshme, Drejtësisë dhe Paqes, Diosdado Cabello, ka njoftuar sekuestrimin e një ngarkese masive prej 6.850 kilogramësh drogë....

Lexo më shumë
Opinion.al

Kategoritë

Kryesore

Aktualitet

Unë Shkruaj

Komente

Bota 

Sport 

Instabiz

Opinion Web Tv

Lifestyle

Galeri

Rreth Nesh

ON AIR: E hene – E marte – E merkure – 22:15 E ejnte – 21:00

OPINION nga Blendi Fevziu. Emisioni politik me i ndjekur dhe me i preferuar ne ekranet shqiptare.
“Opinion” vjen ne kater takime cdo jave – e hene, e marte, e merkure dhe takimi tradicional i te ejntes mbrema.
Cdo jave ne studion e Tv Klan, komente, analiza, debate, komente, intervista, personazhe, deshmi dhe fakte konkrete. Ngjarjet me te fundit dhe me te rendesishme ne jeten politike dhe sociale te vendit, me debatet, opinionet dhe analizat e te ftuarve ne studio.
Salloni i politikes dhe aktualitetit hap dyert 4 mbremje ne jave, per te degjuar opinionet e politikaneve dhe analisteve. Padron i shtepise, gazetari dhe analisti Blendi Fevziu.

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2026
Dev By Techzero1.com

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2026
Dev By Techzero1.com