Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, përmes një publikimi në Facebook, ka informuar lidhur me situatën e zjarreve në vend.
Ndërsa mbrëmjen e djeshme njoftoi për 8 vatra zjarresh, Peleshi pohon sot se situata mbetet serioze vetëm në Karaburun, ndërsa zonat e tjera shprehet se janë thuajse të neutralizuara. “Gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit janë vënë në kontroll ose neutralizuar pothuaj të gjitha situatat serioze të zjarrit, sfidë vazhdon të ngelet Karaburuni, ku është përqendruar edhe puna më e madhe e Forcave të Armatosura. Falenderoj të gjithë efektivët e Forcave të Armatosura dhe strukturave të tjera të mbrojtjes civile për angazhimin dhe sakrificën e treguar në këto ditë të nxehta, na bëni të gjithëve krenarë”, shkruan Peleshi.
Kujtojmë se zjarret në zonën e Karaburunit vijojnë prej më shumë se 4 ditësh, të përhapura edhe për shkak të terrenit të vështirë. Deri në këto momente në zonë nuk ka patur as ndërhyrje nga ajri, ndërsa sot, u njoftua prania e helikopterit në zonë./Opinion.al