Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha se ish-zv.drejtori i AKSHI-t, Daniel Shima është rrëmbyer.
Në një konferencë për mediat, Berisha tha se Shima shpëtoi falë mesazhit që ai i dërgoi partneres, duke i thënë “se po më arrestojnë”.
”Ky person i shkarkuar në mënyrë brutale para një viti nga Mirlinda Karçanaj, i zhdukur nga radarët, i përfolur në kohën e shkarkimit, na shfaqet dje me një SOS. ‘Po më arrestojnë’!
Në ora 1.30 minuta, sipas burimeve shumë të afërta me policinë, Shima i dërgon mesazh bashkëjetueses a partneres së tij: Po më arrestojnë. Natyrisht një mesazh i tillë, që shpreh kërcënimin me një rrezik të madh arrestimi, nënkupton jashtë çdo dyshimi angazhimin direkt të uniformave të shtetit ose të banditëve të shtetit të veshur me uniformë.
Po më arrestojnë. Por nga ora 13:30 që Daniel i dërgoi mesazhin partneres, gjer në orën 5 pasdite, gjithçka u mbulua me kodin e heshtjes, gjersa më në fund nëna e tij denoncoi në polici zhdukjen e djalit dhe mediat u informuan.
Fakti që u mbajt kjo heshtje prej 3 orësh dëshmon se policia, e cila përpiqet të hiqet sikur dinte gjithçka për Danielin, në tërësi ishte jashtë loje, përveç atyre që kishin marrë detyrën ose ta arrestonin, ose bandës së veshur me uniformë që e rrethoi.
Është e vështirë të besosh në komunikatat e policisë, të cilat njëherë thonë se u nis drejt Qytetit Studenti dhe na u zhduk gjurma. Po të gjithë shqiptarët e dinë se mbi Qytetin Studenti është Surreli.
Po vazhdove pak më sipër, del në Surrel. Kjo është e vërteta. Dhe pastaj thonë se e pikasëm kur kaloi tunelin në Elbasan. Pra, përfundoi Shima në bodrumet e Suel Çelës apo në tunelet e Dajtit të Surrelit, këtë të vërtetë nuk mund ta themi me siguri.
Por një gjë është absolute e sigurt, se ai u rrëmbye. Dhe se ai shpëtoi i gjallë falë atij instinkti që e shtyu t’i bënte një mesazh, një SOS, partneres së tij.
Përndryshe do kishim skena si ajo e Jan Prengës ose zhdukje si ajo e Ervis Martinit që nuk gjindet edhe sot e kësaj dite pa nam dhe nishan”, shtoi Berisha.

















