Kronikë

Zbardhet ngjarja në Lezhë, kreu i Njësisë Kallmet shkëmbeu zjarr me 41 vjeçarin


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 09:40 - 02/04/22 |
Opi Nion

Policia ka zbardhur ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme në Lezhë, ku mbeti i plagosur kreu i Njësisë Administrative në Kallmet, Besnik Simoni.

Sipas policisë mes Simonit dhe Altin Markut ka patur shkëmbim zjarri. Kjo është konstatuar pasi gjatë arrestimit të Markut u vu re se ka qenë i plagosur me armë zjarri. Për këtë arsye është transportuar në Spitalin e Traumës Tiranë.

Në përfundim policia njofton se janë arrestuar të dy shtetasit, kreu i Njësisë Administrative në Kallmet, Besnik Simoni dhe Altin Marku.

Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar: 1 armë zjarri pistoletë, me një krehër me 6 fishekë, e cila dyshohet se është përdorur nga Marku, si dhe dy automjete.

Ndërkohë vijon puna për gjetjen e armës tjetër pistoletë, të përdorur gjatë konfliktit.

Njoftimi i policisë

Në vijim të veprimeve hetimore dhe operacionale të kryera për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së ndodhur më datë 01.04.2022, në Kallmet të Lezhës, ku si pasojë e një konflikti me armë zjarri mbeti i plagosur kryetari i Njësisë Administrative Kallmet, shtetasi B. S., shërbimet e Policisë, pas disa orë kërkimesh, kanë bërë të mundur kapjen dhe arrestimin e shtetasit A. M., i cili në momentin e kapjes është konstatuar se ka qenë i plagosur me armë zjarri, për këtë arsye është transportuar në Spitalin e Traumës Tiranë.

Si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore, u bë e mundur zbardhja e rrethanave të ngjarjes, ku ka rezultuar se:

Më datë 01.04.2022, rreth orës 13:15, në fshatin Kallmet, Lezhë, pas një konflikti për motive të dobëta, shtetasit e lartpërmëndur kanë qëlluar me armë zjarri pistoleta, në drejtim të njëri-tjetrit dhe për pasojë ka mbetur i plagosur shtetasi B. S., i cili pasi ka marrë ndihmën e parë mjekësore në Spitalin Rajonal Lezhë, është transportuar në Spitalin e Traumës Tiranë, ku ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa shtetasi A. M. është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, duke u fshehur për disa orë, deri sa është lokalizuar dhe është arrestuar nga shërbimet e Policisë.

Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve

A.M., 41 vjeç, banues në fshatin Kallmet-Lezhë, i dyshuar për veprat penale “Vrasja me dashje”, e mbetur në tentativë dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”;

B.S., 42 vjeç, banues në fshatin Kallmet, Lezhë, me detyrë administrator i Njësisë Administartive Kallmet, Bashkia Lezhë, i dyshuar për veprat penale “Vrasja me dashje”, e mbetur në tentativë dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar:
1 armë zjarri pistoletë, me një krehër me 6 fishekë, e cila dyshohet se është përdorur nga shtetasi A. M., si dhe dy automjete.

Vijon puna për gjetjen e armës tjetër pistoletë, të përdorur gjatë konfliktit.

Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme./Opinion.al

 

Pas