Rajoni

Vuçiç: Në rastin më të mirë dialogu me Prishtinën nis në muajin dhjetor


               Publikuar në : 12:23 - 21/08/19 |
el ida

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç tha se në rastin më të mirë negociatat me Prishtinën do të vazhdojnë në muajin dhjetor.

“Vështirë se mund të ketë vazhdim të dialogut para mbajtjes së zgjedhjeve në Kosovë, të cilat besoj se do të zhvillohen më 6 tetor. Kjo do të thotë se në rastin më të mirë, në fillim të dhjetorit mund të vazhdojë dialogu, por para kësaj, e rëndësishme është të bisedohet për heqjen e taksës”, ka thënë Vuçiç për televizionin serb, Prva.

Presidenti serb tha se “status quoja” është e pamundur, dhe se është e rëndësishme të ruhet paqja, pasi siç tha ai, “ nëse shkrepet një pushkë atëherë askush nuk mund të ndalë bubullimën e topave, dhe kjo nuk i duhet askujt”.

Deklaratat e Vuçiçit bëhen pas takimit me Sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo.

Pas takimit në New York, Vuçiç tha se ka kërkuar nga sekretari amerikan, që SHBA-ja të shtojë presion ndaj Kosovës për heqjen e taksës 100 për qind ndaj mallrave serbe, të vendosur në nëntor të vitit të kaluar.

“Ishte një takim shumë i rëndësishëm dhe informues për mua. Më duket se unë e kuptoj më mirë dhe më shumë pozicionin e SHBA-së, ankthet dhe frikën e tyre. Por, siç më duket mua, edhe ata e kuptojnë frikën dhe ankthet tona shumë më mirë”, tha Vuçiç.

Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të lehtësuara nga Bashkimi Evropian janë ndërprerë që nga nëntori i vitit të kaluar, për shkak të tarifës që qeveria e Kosovës vendosi ndaj mallrave serbe./Opinion.al

 

Pas