Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për diasporën, Taulant Balla ishte mbrëmjen e sotme në një lidhje për emisionin ‘Opinion’, ku foli për votat në zgjedhjet e 11 majit të ardhura nga Greqia.
Në një bashkëbisedim, Balla u pyet nga analisti Artan Hoxha se çfarë ka ndodhur realisht në Greqi, me kompaninë DHL.
Balla u shpreh se kjo situatë nuk ishte e pranishme vetëm në shtetin grek, por edhe në shtete të tjera, ku qytetarët shkuan dhe e tërhoqën zarfin me fletën e votimit në pikën e DHL-së.
“Ajo që besoj KQZ-ja e ka raportuar është se jo vetëm në Greqi, por edhe në disa shtete të tjera ka pasur zarfe që nuk kanë mbërritur në destinacion, ky është fenomen që ka ndodhur edhe në vende të tjera. Një pjesë e qytetarëve pas 3 thirrjeve nga ana e DHL-së për t’i gjetur në banesë, kanë shkuar e kanë tërhequr zarfin në një prej pikave të DHL-së”, iu përgjigj Balla përmes një lidhjeje për “Opinion”.
Edhe për pretendimet se zarfet me fletët e votimit janë parë në pika bastesh, Balla replikoi kështu:
“Unë kam parë edhe përfaqësues të PD-së që postonin zarfe pafund. Në Greqi, ka pasur një vonesë në shpërndarje sepse momenti përkoi me festën e Pashkës. Kompania globale DHL vepron edhe me posta të tjera partnere. Këto janë detyrë e brendshme, unë s’jam këtu për të mbrojtur DHL-në se kam edhe unë ankesat e mia.”