Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.6 ballë ka goditur mesditën e sotme ishujt grek të arkipelagut Dodekanez, jo larg nga qyteti turk i Izmirit.
Lëkundjet janë ndjerë në gjithë Greqinë jug-lindore dhe në Turqinë perëndimore. Ndërkohë, raportimet e para tregojnë dëme të mëdha në qytetin e Izmirit.
Guvernatori i Izmirit ka thënë për CNN-in turk, “nuk kemi ende informacione për humbje jete. Po krijojmë një shtab emergjencash, ku do të mblidhen të gjitha informacionet”.
Ndërkohë, kanë nisur kërkimet për nxjerrjen e personave të mbetur nën rrënoja, ndërsa raportohet për disa persona të lënduar.
Agjencia turke e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave bën me dije se epiqendra ishte në detin Egje, 17 kilometra larg qytetit të Izmirit, dhe magnituda ishte 6.6, ndërsa Agjencia Amerikane e Gjeologjisë thotë se tërmeti ishte i madhësisë 7, i shkallës rihter, me një thellësi prej 2 kilometrash në afërsi të ishullit të Samosit. /Opinion.al