Presidenti Trump thotë se i konsideron objektet fetare si qendra “jetike” dhe u ka bërë thirrje guvernatorëve të lejojnë rihapjen e tyre këtë fundjavë.
“Sot identifikoj objektet fetare: kishat, sinagogat, xhamitë si objekte jetike që ofrojnë shërbime esenciale,” tha Presidenti Trump në komentet për shtyp të premten.
“Me orientim nga unë, Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve do të nxjerrë udhëzime për komunitetet fetare,” shtoi presidenti. “Disa guvernatorë i konsiderojnë dyqanet që shesin alkool, apo klinikat që kryejnë aborte si objekte esenciale, por kanë përjashtuar kishat e xhamitë. Nuk është e drejtë,” u shpreh presidenti.
“Nëse guvernatorët nuk ndërmarrin vendimet e duhura, unë do t’i superoj me vendimin tim,” vazhdoi presidenti në konferencën për shtyp. Nuk është e qartë se çfarë mund të bëjë presidenti në këto rrethana.
Guvernatorë në disa shtete kanë ngritur shqetësimin se në fillim të masave për distancim fizik, disa objekte fetare vazhduan shërbesat. Ekspertët e shëndetit publik paralajmërojnë se grumbullime në mjeside të mbyllura si në kisha, sinagoga apo xhami, rrisin rrezikun për infektim./ VOA