Presidenti amerikan, Donald Trump, nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve të mërkurën nëse Shtetet e Bashkuara do ta sulmojnë Iranin apo objektet e tij bërthamore, por tha se durimi i tij është sosur.
Duke folur pranë Shtëpisë së Bardhë, Trump e përsëriti thirrjen e tij për “dorëzimin e pakushtëzuar” të Iranit.
“Mund ta bëj, mund të mos e bëj. Dua të them, askush nuk e di çfarë do të bëj”, u tha Trump gazetarëve kur u pyet nëse kishte vendosur t’i fillonte bombardimet kundër Iranit.
“Mund t’ju them këtë: Irani ka shumë telashe, dhe ata duan të negociojnë”, shtoi ai.
Trump tha se Irani madje kishte lënë të kuptohet se dëshiron të dërgojë zyrtarë të vet në Shtëpinë e Bardhë për të biseduar mbi programin bërthamor të Teheranit dhe për t’i ndalur sulmet ajrore të Izraelit, por shtoi se “është shumë vonë”.
“Unë thashë që është shumë vonë për të folur. Ndoshta do të takohemi. Ka një ndryshim të madh mes tani dhe një jave më parë, apo jo? Ndryshim i madh”, theksoi Trump.
Kur u pyet se çfarë kishte nënkuptuar kur në një postim në rrjete sociale të martën kërkoi “DORËZIMIN E PAKUSHTËZUAR!” të Iranit, Trump përsëri la të kuptohej se durimi i tij me Iranin ka mbaruar.
“Është shumë e thjeshtë – dorëzim i pakushtëzuar. Kjo do të thotë që unë e kam humbur durimin, në rregull? Mjaft më, dorëzohem, s’ka më, shkojmë dhe i shkatërrojmë të gjitha gjërat bërthamore që janë përreth”, tha Trump.
Trump i bëri këto komente disa orë pasi lideri suprem i Iranit, ajatollah Ali Khamenei, i hodhi poshtë thirrjet për t’u dorëzuar përballë bombardimeve nga Izraeli dhe paralajmëroi se SHBA-ja do të pësojë “dëme të pariparueshme” nëse përfshihet ushtarakisht.
Khamenei i kundërshtoi deklaratat e Trumpit për t’u dorëzuar duke i cilësuar si “kërcënuese dhe absurde”.
“Njerëzit e mençur që e njohin Iranin, popullin e tij dhe historinë e tij, kurrë nuk i flasin këtij kombi me gjuhën e kërcënimit, sepse kombi iranian nuk është ai që dorëzohet”, tha Khamenei.
“Amerikanët duhet ta dinë se çdo përfshirje ushtarake nga SHBA-ja do të shkaktojë pa dyshim dëme të pariparueshme për ta”, shtoi ai.
Trump fillimisht u distancua nga sulmi i papritur i Izraelit të premten, i cili e shkaktoi konfliktin, por ditët e fundit ka lënë të kuptohet se mund të ketë përfshirje më të madhe amerikane, duke thënë se dëshiron “diçka shumë më të madhe” sesa thjesht një armëpushim.
SHBA-ja gjithashtu ka dërguar më shumë avionë ushtarakë dhe luftanije në Lindjen e Mesme.
Izraeli i nisi bombardimet ndaj Iranit të premten e kaluar dhe të mërkurën ushtria izraelite tha se ka kryer gjithashtu sulme në Iranin perëndimor, duke goditur depo raketore dhe një raketahedhës të mbushur.
Izraeli i ka goditur disa objekte bërthamore dhe ushtarake, duke vrarë gjeneralë të lartë dhe shkencëtarë bërthamorë.
Një grup për të drejta e njeriut me seli në Uashington tha se të paktën 585 njerëz, përfshirë 239 civilë, janë vrarë dhe mbi 1.300 janë plagosur në Iran.
Irani i ka lëshuar rreth 400 raketa dhe qindra dronë në sulme hakmarrëse ndaj Izraelit, duke i vrarë të paktën 24 njerëz dhe duke plagosur qindra të tjerë.
Disa raketa kanë goditur ndërtesa banimi në Izraelin qendror, duke shkaktuar dëme të mëdha, dhe sirenat e sulmeve ajrore i kanë detyruar izraelitët të strehohen disa herë./rel