Policia Kufitare e Shkodrës ka arrestuar dy persona dhe ka shpallur në kërkim një tjetër pasi akuzohen për trafikim të lëndëve narkotike.
Autoritetet bëjnë me dije se si rezultat i operacionit “Hidrovori”, kanë rënë në pranga shtetasit, E. I. 26 vjeç, banues në Shemri, Kukës dhe D. Zh. 19 vjeç banues në Kalimash, Kukës, ndërsa është shpallur në kërkim shtetasi E. D. 23 vjeç, banues në Shemri, Kukës.
Sipas informacioneve, në vendin e quajtur “Shina-Hidrovor”, punonjësit e Policisë Kufitare, konstatuan një mjet tip “Ford”, drejtuesi i të cilit, në momentin që ka parë punonjësit e Policisë, ka shtuar shpejtësinë e mjetit duke lëvizur në drejtim të Hidrovorit. Në këtë moment, punonjësit e Policisë janë vënë në ndjekje të automjetit.
Sakaq, Shtetasi E. D., braktisi mjetin dhe bashkë me dy pasagjerët tentoi të largohej në pyll. Uniformat blu vunë në ndjekje të tyre dhe bënë të mundur kapjen e dy pasagjerëve, shtetasit E. I. dhe D. Zh, ndërsa drejtuesi i mjetit mundi të largohej. Shtetasi E. D. është shpallur në kërkim dhe vijon krehja e zonës për kapjen e tij.
Gjatë kontrollit të ushtruar në mjet, shërbimet e Policisë kanë gjetur rreth 1.5 kg lëndë narkotike cannabis sativa.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprën penale “Trafikim i narkotikeve”, kryer në bashkëpunim dhe “Kalim i paligjshëm i kufirit shtetëror”./ Opinion.al