Te Fundit

Të forcojmë së bashku mbrojtjen europiane


               Publikuar në : 14:15 - 09/03/19 |
geliano fataj

Si e duam ne të jetë bota që jetojmë në vitin 2040? Shtetet europiane ndodhen sot në udhëkryq: Nëse nuk arrijmë të organizohemi si kolektiv dhe të dalim me një strategji të përbashkët mbrojtjeje në skenën ndërkombëtare, atëherë do të kthehemi nesër në top loje të të tjerëve. Dhe top loje për ato shtete, që kanë kurs agresiv në politikën e jashtme, në krijimin e epërsisë së tyre. Tre muaj para zgjedhjeve europiane këto përmasa të sfidës duhet t‘ i dinë jo vetëm partitë, por edhe qytetarët e Europës.

Raportet ndërkombëtare, siç janë krijuar mbas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, janë duke u riorganizuar nga e para. Kjo u bë e qartë në Konferencën e Sigurisë në Mynih. Sistemi ndërkombëtar është duke u lëkundur nga aktorët e rinj, që janë duke ndërtuar në të pozicionin e tyre, si dhe nga politika e jashtme e qeverisë aktuale amerikane.

Kërcënimi i Europës nga raketat me rreze të mesme të Rusisë kërkon një trajtim të përshtatshëm me synimin e mbrojtjes së një zone të sigurisë së përbashkët dhe të pakufizuar. Europa ka interes në vazhdimin e pakteve ndërkombëtare, si Pakti INF dhe marrëveshja atomare me Iranin, të cilat kontribuojnë në stabilizimin dhe forcimin e kontrollit ndërkombëtar të armëve.

Bashkëpunimi është detyrim

Siguria ndërkombëtare është baza e përballimit të sfidave globale si ndryshimi i klimës ose revolucioni digjital. Ushtritë tona dhe industria ka rrezik të bëhen të varura nga pikëpamja teknologjike. Prandaj bashkëpunimi nuk është më vetëm një obsion, por është detyrim. Asnjë shtet i BEnuk mund t’i krijojë i vetëm kapacitetet për mbrojtjen e tij. Përveç kësaj, sipas vlerësimeve të Komisionit të BE, për shkak të mungesës së bashkëpunimit në sektorin e sigurisë dhe mbrojtjes krijohen shpenzime, që mund të shmangen, prej 30 miliardë eurosh.

Nga nxitja që bën Angela Merkel dhe Emmanuel Macron, Europa është vendosur në pozicionin e duhur për sfidat që ka përpara. Politika e përbashkët e mbrojtjes dhe e sigurisë është thelluar nga masat e ndryshme të përbashkëta: Krah fondit të përbashkët të mbrojtjes (13 miliardë euro nga 2021 deri më 2027), është krijuar një bashkëpumin vazhdimisht i strukturuar (Permanent Structured Cooperation – PESCO) i cili ka si synim që me ndihmën e buxhetit të mbrojtjes të ketë një koordinim më të mirë të ushtrisë si dhe një zhvillim të përbashkët të kompetencave kibernetike.

Projekte konkrete të këtij bashkëpunimi janë një seli e përbashkët dhe një qendër europiane për specializimin e pilotëve të transportit ajror taktik. Përveç kësaj, nga nëntë shtete mes të cilave edhe Britania e Madhe është nënshkruar një nismë (European Intervention Initiative – EI2) që ka si synim të nxisë kulturën e strategjisë europiane dhe bashkëpunimin më të ngushtë ushtarak. Nga të dy anët e lumit Rin, duhet të jetë e qartë se bashkëpunimi europian në fushën e mbrojtjes nuk konkuron me NATO-n, por ka si synim forcimin e tij.

Kuptohet fushëveprimi në çështjet e mbrojtjes

Franca dhe Gjermania kanë njohur fushëveprimin në çështjet e mbrojtjes. Të dy vendet kanë filluar të investojnë dhe të ngrejnë shtyllat kryesore për bashkëpunimin e ardhëm. Shembuj aktual janë planet e përbashkëta të një sistemi të luftës në ajër si dhe konstruksioni i një modeli të ri tanku. Këto sisteme duhet të garantojnë në të ardhmen sigurinë ushtarake në tokë dhe në ajër.

Por kjo nuk mjafton: Ne duhet të vemë në vijë projekte të reja për të siguruar autonominë, aftësinë strategjike dhe së fundi ekzistencën e Europës. Për shembull ne na duhen në sektorin e hapësirës programe ambicioze për të patur kapacitete të pavarura sigurie dhe zbulimi. Për këtë është e pashmangshme zhvillimi i raketave të përbashkëta europiane.

Partneritet do të thotë edhe varësi

Projekte të tilla mund të krijohen vetëm me partneritet të barabartë dhe të qëndrueshëm, tek i cili akceptohet me vetëdije edhe varësia reciprokre. Këtu fokusi duhet përqëndrur tek kapërcimi i pjesëve kombëtare të industrisë në kuptimin e “juste retour” dhe të menduarit në kuadrin europian. Është legjitime që shtetet të kërkojnë pjesën sipas kontributeve që kanë dhënë në programet e përbashkëta. Megjithatë kjo mënyrë të menduari nuk duhet të dëmtojë eficiencën ekonomike. Në frymën e Paktit të Aachenit duhen gjetur rrugë për të bashkuar pikëpamjet mbi eksportin e armëve.

Më shumë se kurrë më parë, ne europianët kemi interesa të përbashkëta, që të gjejmë përgjigje të përbashkëta për kërcënimet e kontinentit tonë. Për të luajtur ende një rol të fortë që përcakton drejtimet në skenën botërore, ne duhet t’i përgjigjemi sfidave me bashkëpunim edhe më intensiv.

*Autorët janë deputetë të deputetët francezë të Asamblesë Kombëtare Jean-Charles Larsonneur, Christophe Arend, Thomas Gassilloud dhe Sereine Mauborgne (të gjithë nga LREM), si dhe anëtarët e parlamentit gjerman, Bundestagut, Andreas Jung (CDU), Nils Schmid (SPD), Roderich Kiesewetter (CDU), Michael Georg Link (FDP), Reinhard Brandl (CSU) dhe Christian Petry (SPD).

Pas