Te Fundit

Si po shkatërrohen shkollat doktorale dhe kërkimi shkencor në universitete


               Publikuar në : 18:30 - 01/10/19 |
Al Do

Nga Artan Fuga

Si po shkatërrohen shkollat doktorale më keq seç ishin dhe bashkë me to edhe kërkimi shkencor doktoral në universitete!

Zoti kryeministër bëni çfarë të doni në politikë, por në administrimin e kërkimit shkencor, mos i lejoni injorantët t’ju sjellin mbi tavolinë për firmë shkresa që çdo profesor që nga Shqipëria deri në Zimbabve do të shkrihej gazit po t’i lexonte.

Mua nuk më shqetësojnë disa rregulla që vendosin në kërkimin shkencor dhe në arsimin universitar kur ato janë të gabuara.

Gabime bëjmë të gjithë!

Por, kur rregullat që vihen janë fund e krye të paditura, shprehin një moskuptim tërësor të problemeve të kërkimit shkencor, janë banale, mediokre, janë për të vendosur duart në kokë, për të vënë kujen, kur janë dru me pre, vulgare, atëhere është e padurueshme!

Atëhere vetëm një idioti, një maskarai, një të poshtri që merret me drejtim shkencor mund të mos i dhembi deri në kockë të zemrës!

Shikoni more se çfarë ka shpikur ministria jonë injorante e arsimit që e merr pastaj vkm-ja dhe na e hedh turinjve!

Një profesor i asociuar mund të drejtojë deri në dy më duket doktorantë, një profesor tre!

Ndihmë o Zot! Po ku i gjeti këto shifra budallaqe!

Pse dy jo tre? Pse tre? Po sa? Katër! Pse katër? Po sa? Pse po sa? Fitove? Po sa? Pesë! O Zot që je një, fali se nuk dinë se çfarë bëjnë!

Po mirë po si nuk menduan që puna shkencore bëhet sot më mirë në grup. Bëhet në grup. Si nuk menduan që nuk është më koha kur Njutoni rrinte shtrirë poshtë pemës dhe i binte kokrra e mollës në kokë! Një kokër mollë për kokë!

Na raftë pika për injorancën e thellë në sociologjinë e kërkimit shkencor!

Por nuk ka rëndësi numri kështu i prerë o njerëz! Se kemi turp nga vetja.

Varet nga koherenca e tematikave studimore dhe nga shumë faktorë të tjerë. Mund të jenë dhjetë vetë që punojnë për doktoratat të drejtuara nga një profesor nëse temat e tyre të holla e fine janë brenda fushës së profesorit,dhe të përafërta me njera tjetrën dhe që ushqejnë njera tjetrën. Por mund të jenë vetëm dy doktorantë në drejtim nëse temat e tyre janë shumë divergjente.

E dinë këta që kurrë nuk kanë bërë kërkim shkencor që më lehtë dhe më me cilësi drejtohet një ekip koherent me dhjetë vetë që bëjnë doktorata të integruara sesa një grup me tre vete kur njeri ecën nga mushka e tjetri nga krushka!

O Zot! Të ishte ndokush si Krishti të merrte një kamzhik dhe t’i përzinte nga zyrat!

O zyra! Ju nuk merrni vesh nga kërkimi shkencor! Mos dini si operohet edhe apendiciti? Po si montohet një dush italian a dini? Se kam nevojë për një hidraulik!

A e dini që kur doktorantët janë në faza te ndryshme të avancimit në punë kërkimore e shkencore kanë nevojë për angazhime të përmasave të ndryshme nga ana e drejtuesit?

Jo nuk keni si ta dini! Po lopë milni dot?

Nuk i hyn njeri këtyre hollësive, thjesht e kanë si në votim, një profesor tre doktorantë. Se në cilën fazë ndodhen këta doktorantë as e ka vendosur zjarrin në tenxhere ta mendojë njeri. Deti është në peshk e zjarri në det.

Futja kot!

A e paskeni hallin që të drejtohen mirë???

Po pse more nga numri varet kjo? Mund të kesh tre doktorantë në drejtim shkencor dhe të tre i braktis, i bën të të paguajnë byreqet që ha, i le të shkruajnë budalliqe, mund të kesh edhe dhjetë dhe krijon një ekip performant që mund të shkelqejë!

Shif shif një profesor tre doktorant – shkruajnë pa pikën e reflektimit mbi atë që shkruajnë.

Po mirë mo po ku kur profesori është në histori dhe drejton doktorant në drejtësi? E huuuua aaaaa! 1 me tre! Kaq di unë! Pse jo një me pesë? Po sa? Pse po sa? Sa të thuash ti!

Por kur profesori është në biologji dhe drejton shkolla doktorale në shkenca shoqërore? Po kur ka mbaruar për matematikë dhe drejton në albanologji?

Cfarë the mo, alabakëri? Turp të kesh! Një me pes! Pse pes?

Zoti kryeministër bëni çfarë të doni në politikë, por në administrimin e kërkimit shkencor, mos i lejoni injorantët t’ju sjellin mbi tavolinë për firmë shkresa që çdo profesor që nga Shqipëria deri në Zimbabve do të shkrihej gazit po t’i lexonte.

Do të shkrihej vajit nëse do të ishte i detyruar t’i zbatonte! /Opinion.al

Pas