Bota

SHBA mund të dërgojnë trupa në Poloni


               Publikuar në : 19:40 - 12/06/19 |
Opi Nion

Presidenti i SHBA, Donald Trump tha të mërkurën se do të diskutonte mbi NATO-n dhe tregtinë me presidentin polak Andrzej Duda gjatë bisedimeve në Shtëpinë e Bardhë dhe shtoi se po vazhdonin diskutimet nëse në Poloni do të vendoseshin trupa amerikane.

Ai tha se po shikonte mundësinë për dërgimin e rreth 2.000 trupave amerikane nga Gjermania në Poloni, por ende nuk e kishte finalizuar vendimin.

Presidenti Trump tha se kishte në plan të vizitonte Poloninë por data ende nuk ishte caktuar.

Presidenti polak Duda ka thënë se do të njoftojë një marrëveshje këtë javë për të forcuar praninë ushtarake të SHBA në Poloni.

Zoti Trump tha se nuk do të kishte rritje të trupave amerikane në Evropë, por ato do të qarkulloheshin nga vende të tjera.

Ai tha gjithashtu se po shqyrtonte sanksione ndaj projektit të gazsjellësit Nord Stream 2 të Rusisë dhe paralajmëroi Gjermaninë që të mos varej nga Rusia për energji.

Nord Stream 2 ka e ka ndarë Bashkimin Evropian. Vendet e Europës lindore, nordike dhe balltike e shohin gazsjellësin prej 1,225 kilometrash që është në ndërtim e sipër, si rritje e mbështetjes së BE-së për Moskën, ndërsa ato në Evropën veriore, veçanërisht Gjermania, shohin përfitime ekonomike te ky projekt. Burimi: VOA

Pas