Bota

Sa i rrezikshëm është Shteti Islamik i Afganistanit?


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 16:05 - 28/08/21 |
Opi Nion

Dega e Shtetit Islamik, që amerikanët e fajësojnë për sulmin vetëvrasës vdekjeprurës të së enjtes, që bërë jashtë aeroportit të Kabulit, u bashkuan në Afganistanin lindor gjashtë vjet më parë dhe shpejt u rrit, duke u kthyer në një nga kërcënimet terroriste më të rrezikshme në nivel global, raporton The Associated Press.

Përkundër viteve të kaluara nën shënjestrim ushtarak, nga koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, grupi i njohur si Shteti Islamik Khorasan (IS-K) ka mbijetuar, për të nisur një sulm të ri masiv, pasi Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tjerë të NATO-s, të tërhiqeshin nga Afganistani dhe kur talebanët të ktheheshin në pushtet.

Presidenti amerikan Joe Biden, e përmendi kërcënimin e sulmeve të Shtetit Islamik, në respektimin e afatit të së martës, për tërheqjen e forcave amerikane nga Afganistani. Biden fajësoi këtë grup për sulmet e së enjtes, të cilat u shkaktuan nga një sulmues vetëvrasës, i cili ra në turmat e afganëve, jashtë portave të aeroportit, të kontrolluara nga anëtarët e shërbimit amerikan.

Më 28 gusht, SHBA-ja tha se ka vrarë një anëtar të këtij grupi, përmes një sulmi me dron në lindje të Afganistanit.

Grupi në fjalë, ka arritur një rekord të sulmeve shumë vdekjeprurëse përballë humbjeve të tij të mëdha në anën tjetër. Një vështrim mbi këtë grup vdekjeprurës, që ndikon në rrjedhën e transportit ajror në Kabul dhe në veprimet e SHBA-së:

Çfarë është Shteti Islamik i Khorasanit?

Shtetit Islamik në Azinë Qendrore, u shfaq disa muaj pasi luftëtarët kryesorë të grupit pushtuan Sirinë dhe Irakun, duke krijuar një kalifat të vetëshpallur ose perandori islamike, në verën e vitit 2014. Në Siri dhe Irak, u desh që forca vendase dhe ndërkombëtare të detyrohen të luftojnë gjatë pesë vjetëve pasuese, për ta rrëzuar kalifatin.

Dega e tij në Afganistan, e ka marrë emrin nga Provinca Khorasan, një rajon që mbulon pjesën më të madhe të Afganistanit, Iranit dhe Azisë Qendrore gjatë mesjetës.

Ky grup njihet edhe si ISK ose IS-K.

Kush janë luftëtarët e Shtetit Islamik të Khorasanit?

Grupi filloi nga qindra luftëtarë talibanë pakistanezë, të cilët u strehuan përtej kufirit në Afganistan, pasi operacionet ushtarake i dëbuan ata nga vendi i tyre. Ekstremistë të tjerë me mendësi të njëjtë, u bashkuan me ta atje, duke përfshirë luftëtarët e pakënaqur talibanë afganë të pakënaqur me atë që ata – ndryshe nga Perëndimi – e shihnin si mënyra tepër të moderuara dhe paqësore të talibanëve.

Ndërsa talibanët po zhvillonin bisedimet e paqes me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vitet e fundit, talibanët e pakënaqur u zhvendosën gjithnjë e më shumë në Shtetin Islamik më ekstremist, duke rritur numrin e pjesëtarëve të tij. Shumica ishin të frustruar që taiebanët po ndiqnin negociatat me SHBA-në, në një kohë kur ata menduan se lëvizja ishte në marshim e sipër drejt një fitoreje ushtarake.

Grupi gjithashtu ka tërhequr një kuadër të rëndësishëm nga Lëvizja Islamike e Uzbekistanit, një vend ky fqinj; luftëtarë nga provinca e vetme me shumicë myslimane sunite në Iran; dhe anëtarët e Partisë Islamike të Turkistanit të përbërë nga ujgurët prej verilindjes së Kinës.

Shumë prej tyre u tërhoqën nga ideologjia e dhunshme dhe ekstremiste e Shtetit Islamik, përfshirë premtimet për një kalifat për të bashkuar botën islame, një qëllim ky që nuk u mbështet kurrë nga talibanët.

Çfarë i bën ata kërcënim kryesor?

Ndërsa talibanët e kanë kufizuar luftën e tyre në Afganistan, grupi i Shtetit Islamik në Afganistan dhe Pakistan ka përqafuar thirrjen e Shtetit Islamik, për një xhihad mbarëbotëror kundër jomyslimanëve.

Qendra për Studime Ndërkombëtare dhe Strategjike, numëron dhjetëra sulme që luftëtarët e Shtetit Islamik i kanë nisur kundër civilëve në Afganistan dhe Pakistan, përfshirë myslimanët shiitë pakicë, si dhe qindra përplasje me forcat e koalicionit afgan, pakistanez dhe të udhëhequr nga SHBA-ja, që nga janari i vitit 2017. Edhe pse grupi ende nuk ka kryer sulme kundër atdheut amerikan, Qeveria amerikane beson se ai përfaqëson një kërcënim kronik për interesat e SHBA-së dhe aleatëve të saj në Azinë Jugore dhe Qendrore.

Cili është roli i tyre përballë talibanëve?

Ata janë armiq! Ndërkaq, zyrtarët e inteligjencës besojnë se luftëtarët e Al-Kaidës janë të integruar mes talibanëve, nga ana tjetër, vetë talibanët kanë ndërmarrë ofensiva të mëdha të koordinuara kundër grupit të Shtetit Islamik në Afganistan. Kryengritësit talibanë ndonjëherë janë bashkuar me forcat qeveritare afgane të mbështetura nga SHBA-ja, për të shpartalluar Shtetin Islamik nga pjesë të caktuara në verilindje të Afganistanit.

Një zyrtar i Departamentit të Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke folur për The Associated Press në kushte anonimiteti, sepse ai punonte fshehurazi, tha më parë se administrata e ish-presidentit Donald Trump, kishte kërkuar marrëveshjen e saj të tërheqjes me talibanët në vitin 2020, pjesërisht me shpresën e bashkimit të forcave me ta, kundër degës të Shtetit Islamik. Administrata Trump e shihte këtë grup si kërcënimin real për atdheun amerikan.

Cili është rreziku tani?

Edhe kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin trupa luftarake, avionë dhe dronë të armatosur të vendosur në terren në Afganistan, për të monitoruar dhe goditur Shtetin Islamik, militantët e Shtetit Islamik ishin në gjendje të vazhdonin sulmet pavarësisht se kishin pësuar mijëra viktima, shkruajnë Amira Jadoon dhe Andrew Mines, në një raport për Qendrën e Luftimit të Terrorizmit në West Point.

Tërheqja po i privon Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga kapaciteti në terren në Afganistan dhe kërcënon ta dobësojë aftësinë e SHBA-së për të gjetur Shtetin Islamik dhe planifikuar sulme ndaj tij gjithashtu. Zyrtarët e Bidenit, thonë se grupi i Shtetit Islamik, është vetëm një nga kërcënimet e shumta terroriste, me të cilat po merret globalisht. Ata këmbëngulin se mund ta menaxhojnë atë me të ashtuquajturat asete ushtarake dhe të inteligjencës mbi horizont, të bazuara në shtetet e Gjirit, në transportuesit e avionëve ose vende të tjera më të largëta.

Një nga frikët më të mëdha të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për tërheqjen e forcave të saj luftarake pas dy dekadash, është se Afganistani nën sundimin e talibanëve, përsëri mund të bëhet një magnet dhe bazë për ekstremistët që komplotojnë sulme në Perëndim.

Këshilltari i sigurisë kombëtare të SHBA-së, Jake Sullivan i tha CNN-it fundjavën e kaluar, se ky kërcënim ishte diçka “në të cilën jemi fokusuar, me çdo mjet në arsenalin tonë”./REL

 

Pas