Megjithëse tregu financiar shqiptar nuk është i ekspozuar në mënyrë direkte ndaj zonave në konflikt, efektet e luftës do të jenë të tërthorta, të përcjella sidomos nga treguesit e ekonomisë reale. Shtrenjtimi i çmimeve të lëndëve të para po ushtron presione në rritje ndaj inflacionit dhe bilancit tregtar. Kjo mund të sjellë rritje të normave të interesit dhe nënçmim të kursit të këmbimit të Lekut
Sulmi rus në Ukrainë ka shkaktuar konfliktin më të madh ushtarak në Europë, që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. Një konflikt i përmasave të tilla, natyrisht, ka shkaktuar pasiguri në tregjet financiare europiane.
Ekspozimi direkt i Shqipërisë në tregjet e përfshira në konflikt është i papërfillshëm, në kuptimin e zotërimit të instrumenteve të kapitalit, apo të portofolit në to. Por, për shkak të varësisë së lartë nga zhvillimet në tregjet financiare dhe në ekonominë europiane, as tregu shqiptar nuk do të arrijë të shmangë efektet e tërthorta.
Efekti më i drejtpërdrejtë i luftës dhe i sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë është kufizimi i burimeve të furnizimit dhe rritja e çmimeve. Ky efekt është natyrisht më i fortë tek ato produkte ku Rusia dhe Ukraina janë tregje të rëndësishme globale, kryesisht produktet energjetike, drithërat dhe metalet. Këto produkte, edhe para luftës, kishin shënuar rritje të ndjeshme të çmimeve, ndërsa shpërthimi i konfliktit ka sjellë një valë të mëtejshme rritjeje.
Shtrenjtimi i lëndëve të para dhe veçanërisht i naftës do të japë ndikim të pashmangshëm inflacionist në ekonomitë europiane dhe sigurisht, që as Shqipëria nuk do të mund t’u shpëtojë pasojave. Inflacioni ka prekur tashmë nivelet më të larta në një dekadë dhe pritet rritje e mëtejshme e tij në vitet në vazhdim.
Presionet në rritje inflacioniste mund të sjellin një reagim më të shpejtë dhe të përmasave më të mëdha të bankave qendrore në drejtim të normalizimit monetar. Rritja e normave referuese të interesit do të përcillet edhe në tregjet financiare, duke sjellë kosto më të lartë të huamarrjes për subjektet publike dhe private, por edhe më shumë të ardhura nga kursimet e investuara në instrumente financiare.
Një rritje e normave të interesit ishte e pritshme edhe përpara luftës, për shkak të valës inflacioniste që ka përfshirë ekonominë botërore që nga gjysma e dytë e vitit të kaluar.
Banka e Shqipërisë ka paralajmëruar nisjen e procesit të normalizimit monetar gjatë këtij viti. Presionet e shtuara inflacioniste, që ka shkaktuar lufta në Ukrainë dhe sanksionet ndaj Rusisë, mund të ndikojnë që rritja e normave të interesit të jetë më e shpejtë nga sa mendohet. Një ndikim ndoshta më i drejtpërdrejtë në tregun financiar do të ketë kursi i këmbimit valutor.
Paniku po ndihet në tregun valutor
Tregu i këmbimeve valutore në vend është i pari që ka reflektuar pasojat e situatës së krijuar nga lufta në Ukrainë. Javën e kaluar, Leku humbi dukshëm terren të enjten ndaj gjithë monedhave kryesore dhe veçanërisht ndaj Euros, që është monedha kryesore e këmbimeve tregtare të vendit. Sipas kursit të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Euro kaloi të premten 123 lekë.
Euro preku nivelin më të lartë në kursin e këmbimit me Lekun që prej nëntorit të vitit të kaluar. Në muajin nëntor, mbiçmimi i Euros pati ardhur kryesisht për shkak të një kërkese në rritje për të financuar importet e energjisë elektrike. Por, mbiçmimi nuk zgjati shumë, edhe falë kreditimit direkt në monedhën Euro për kompanitë e sektorit energjetik.
Ndërsa tani ekspertët shprehen se mbiçmimi i euros është i lidhur direkt me krizën e çmimeve që ka shkaktuar lufta në Ukrainë. Rritja e çmimeve të lëndëve të para ka shtrenjtuar importet, ndërsa frika se ato mund të rriten edhe më shumë në të ardhmen, po shtyn drejt blerjes së sasive më të mëdha të mallrave.
Burime nga bankat tregtare bëjnë të ditur se ditët e fundit ka pasur blerje të mëdha të Euros nga kompani importuese, kryesisht nga sektori energjetik, kompani të industrisë përpunuese, të sektorit farmaceutik, etj. Sipas tyre, me shumë të ngjarë, kursi i Euros ka hyrë në një spirale rritëse, sepse një mbiçmim i shpejtë, i kombinuar me situatën shqetësuese globale, zakonisht i shtyn aktorët e tregut në panik dhe faktori psikologjik do të luajë një rol të madh.
Për herë të fundit, një tendencë e tillë u vërejt në fillim të pandemisë së Covid-19. Konsumatorët nisën të blinin sasi të mëdha të mallrave të konsumit, duke rritur kërkesën dhe duke i shtyrë tregtarët të importonin sasi të mëdha.
Kjo krijoi kërkesë të madhe për valutë dhe mbiçmim të lartë të euros në harkun e pak ditëve. Siç ndodh zakonisht, kjo krijoi pritshmëri për mbiçmim të euros, duke nxitur më tej kërkesën për valutën europiane dhe duke shkaktuat një efekt domino. Situata u qetësua vetëm pas ndërhyrjes së Bankës së Shqipërisë, që shiti euro për të kënaqur kërkesën e tregut dhe për të frenuar mbiçmimin e monedhës europiane.
Nëse një situatë e ngjashme me fillimin e pandemisë përsëritet, mund të paraqitet nevoja që Banka e Shqipërisë të ndërhyjë sërish, për të qetësuar kursin e këmbimit. Banka qendrore disponon një rezervë valutore prej 5 miliardë eurosh, megjithatë zakonisht shumat që nevojiten për të frenuar panikun në tregun valutor shqiptar nuk janë shumë të mëdha.
Në mars 2020, Banka e Shqipërisë shiti 20.4 milionë euro gjatë dy ditëve dhe kjo mjaftoi për të ndalur mbiçmimin e euros në tregun valutor. Ekspertët e tregut shprehen se, për momentin, nuk presin një ndërhyrje të Bankës së Shqipërisë, por një skenar i tillë nuk mund të përjashtohet, nëse euro vijon të forcohet me ritmet e ditës së enjte.
Megjithëse Shqipëria adopton një regjim të lirë të kursit të këmbimit, Banka e Shqipërisë mund të ndërhyjë në momente të caktuara, kur e vlerëson si instrument të nevojshëm në funksion të objektivave të inflacionit dhe të ruajtjes së stabilitetit financiar.
Adrian Shehu, ekspert i tregut valutor, mendon se në situatën aktuale, potencialisht mund të ekzistojnë presione në rritje për nënçmimin e monedhës vendase. Megjithatë, ai shprehet se lëvizjet e diktuara nga paniku i aktorëve ekonomikë do të jenë afatshkurtra dhe tregu do të kthehet në vlerat ekuilibër.
“Historikisht, kursi i Lekut me Euron nuk ka pasur ndonjë ndikim të madh direkt nga tregjet ndërkombëtare. Raportet janë përcaktuar kryesisht nga kërkesa dhe oferta në tregun e brendshëm. Në vitet e fundit, ka pasur një fluks të madh të Euros në treg dhe madje pas pandemisë, Leku ka mbajtur pozitat më të forta ndaj euros në 15 vitet e fundit.
Logjikisht, situata aktuale ka rritur presionet nënçmuese për monedhën vendase, megjithatë dinamikat e tregut mund të jenë të vështira për t’u parashikuar. Kur shpërthyen trazirat e vitit 1997, Dollari, që ishte edhe valuta kryesore e huaj në tregun shqiptar, kërceu në nivele rekord. Po flasim për periudhën mars-prill.
Të gjithë donin të blinin valutë të huaj, sepse ndiheshin më të sigurt. Por, në momentin që u normalizua situata e rendit dhe ajo ekonomike, kursi pësoi shfryrje dhe u kthye gradualisht në nivele normale. Pra, pasi kaloi paniku i momentit, tregu u kthye në vlerat ekuilibër” – shprehet ai.
Ndikimet do të vijnë nga ekonomia reale
Spiro Brumbulli, ekspert i tregut bankar dhe Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Shqiptare të Bankave, mendon se konflikti nuk do të shkaktojë pasoja direkte në tregun financiar shqiptar. Sipas tij, tregu financiar europian është i konsoliduar, ndërsa vendet si Shqipëria kanë një ekspozim të kufizuar.
“Në tregun rus, apo atë ukrainas, ne nuk kemi ekspozime financiare të drejtpërdrejta. Ndonjë prej grupeve bankare që vepron në Shqipëri mund të jetë i pranishëm, megjithatë ato janë filiale të veçanta dhe që në çdo rast nuk e cenojnë stabilitetin e grupit bankar si i tërë. Në tregjet financiare europiane, ne jemi të pranishëm kryesisht nëpërmjet eurobondit apo investimeve të subjekteve financiare. Megjithatë, madhësia e këtyre investimeve është relativisht e vogël” – thotë ai.
Sipas z. Brumbulli, hapja e frontit të luftës midis Rusisë dhe Ukrainës krijon probleme, sidomos për shkak të sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë.
“Krijon probleme, sepse do të kemi ndryshim të burimeve të furnizimeve. Importet nga Rusia do të duhet të zëvendësohen me tregje të reja. Kjo logjikisht do të përkthehet në rritje të kostove, sepse flasim për tregje më të largëta, apo ku edhe kostot e produkteve mund të jenë më të larta, sepse janë vende më të zhvilluara.
Në thelb, efekti në tregun financiar do të jetë ai efekt që do të përcillet nga ekonomia reale. Riorientimi i burimeve të furnizimit mund të sjellë efekte në inflacion. Ky është një efekt shtesë, pas atyre efekteve të lidhura me zinxhirin e ofertës që kanë sjellë inflacion në rritje prej disa muajsh. Efektet e tërthorta megjithatë mund të kuptohen më qartë me kalimin e kohës dhe është e vështirë të parashikohen për momentin.
Ndoshta mund të kemi ndryshime në arkitekturën e tregjeve, sepse shumë investitorë të rëndësishëm europianë dhe globalë do të tërhiqen nga Rusia. Duke qenë se jemi një ekonomi e vogël dhe shumë e varur nga zhvillimet globale, veçanërisht nga ato europiane, në mënyrë të pashmangshme do t’i importojmë këto zhvillime dhe fenomene. Megjithatë, këto zhvillime do të përcillen gradualisht dhe pa një valë goditëse të fortë” – thotë z. Brumbulli.
Sipas tij, përcjellja e këtyre efekteve është normale se nuk mund të jesh i izoluar në një botë që vuan probleme të këtij lloji.
“Megjithatë, masa dhe koha e goditjes do të jetë e ndryshme. Nuk kemi arsye të jemi në panik për efekte të shpejta dramatike në kuptimin ekonomik. Mendoj se shqetësimi kryesor është dimensioni njerëzor i asaj që po ndodh në Ukrainë, por edhe precedent që krijon në shkatërrimin e atij rendi të ruajtjes së paqes dhe ekuilibrave” – thotë ai.
Efektet do të jenë të afatshkurtra
Artan Gjergji, ekspert i tregjeve financiare në Credins Bank, nënvizon se integrimi i tregjeve financiare në shekullin XXI ka një rëndësi po aq të madhe sa armët nukleare. Sipas tij, shkëputja e tregut rus nga gjithë ekosistemi financiar, në mënyrë kolektive, mund të jetë armë me fuqi të jashtëzakonshme. Globalizimi ka sjellë ndërlidhje dhe integrim të tillë të tregjeve, sa pasojat nga një shkëputje e tillë mund të jenë shumë të mëdha.
“Është përmendur shkëputja nga sistemi SWIFT e bankave dhe institucioneve ruse. Dalja nga SWIFT pengon të gjithë komunikimin me tregjet financiare ndërkombëtare. Më shumë se qarkullimi bankar, rëndësi kanë tregjet e kapitalit. Rusia ka pesë ose gjashtë bursa të mëdha të letrave me vlerë, që janë shumë aktive dhe me peshë të rëndësishme në tregjet ndërkombëtare.
Ka gjithashtu bursa mallrash që janë po aq të rëndësishme nga pikëpamja strategjike. Ka një ekspozim shumë të madh të investimeve të portofolit në Rusi nga investitorët ndërkombëtarë. Impakti që shkakton largimi i investitorëve ndërkombëtarë është i jashtëzakonshëm në aspektin e likuiditetit. Gjithashtu, një dalje masive e kapitalit të huaj ndikon në përmasa të mëdha monedhën kombëtare.
Ky ishte një nga faktorët që sollën zhvlerësimin e shpejtë të rublës në pak ditë. Paralajmërimet për daljen nga SWIFT nuk janë vetëm kërcënime, por edhe njoftim që investitorët europianë të dalin nga këto tregje para se të ndodhë shkëputja. Ka pozicion shumë të madh në shitje, por që nuk po gjejnë blerës” – thotë ai.
Duke qenë se Shqipëria nuk është e ekspozuar direkt në tregun rus apo atë ukrainas, pasojat që mund të prekin tregun shqiptar janë, në fakt, ato që mund të vuajnë aktorët e tregjeve financiare europiane.
“Edhe Bashkimi Europian do të ketë humbjet e veta, sepse shkëput pas dekadash marrëdhëniet me një treg të rëndësishëm financiar dhe sidomos një treg të rëndësishëm të lëndëve të para.
Nga ana tjetër, kemi ende problemet e lidhura me post-pandeminë dhe shkëputjen e zinxhirit të furnizimit. Besoj dhe shpresoj se lufta nuk do të zgjasë shumë, kjo thjesht edhe vetëm për shkak të pamundësisë financiare të Rusisë për të financuar një luftë të gjatë dhe për shkak të një bllokade unanime nga Perëndimi.
Nëse lufta nuk zgjat, efekti në tregje do të jetë afatshkurtër, deri në një vit. Nga ana tjetër, besoj se tregjet e BE-së janë tregje të strukturuara, që kanë gjithmonë plane kontingjence dhe shumë shpejt do të riformatohen dhe do të eksplorojnë tregje të reja. Edhe në rast se lufta nuk zgjat, sidoqoftë do të kemi një diversifikim të burimeve të furnizimit, gjë që do të jetë pozitive në afatin e gjatë” – thotë z. Gjergji.
Sipas tij, efektet në Shqipëri do të jenë të ngjashme me ato që do të vuajë edhe pjesa tjetër e kontinentit, të lidhura kryesisht me rritjen e çmimeve dhe nevojën për diversifikim të tregjeve të furnizimit.
“Specifikisht për tregun financiar nuk pres ndonjë ndikim domethënës. Nuk kemi lidhje direkte me tregun rus. Tregu ka likuiditet, si në valutë vendase, ashtu edhe në valutë të huaj. I vetmi impakt do të jetë i lidhur me inflacionin dhe me normat e interesit, që gjithsesi ishte i pritshëm edhe para luftës. Gjithsesi mendoj se do jetë një efekt që do të mund të amortizohet në një afat të shkurtër” – shprehet ai.
BE është investitori më i madh i huaj në Rusi
Globalizimi e ka bërë botën më të prekshme ndaj pasojave të konflikteve në shtete apo rajone të veçanta. Për më tepër, kur këto rajone kanë rol të rëndësishëm ekonomik dhe strategjik.
Rusia dhe Ukraina nuk janë vetëm tregje të lëndëve të para, por edhe tregje ku investitorët e Europës Perëndimore kanë ekspozime të mëdha në formën e investimeve kapitale dhe financiare.
Sipas statistikave të Komisionit Europian, në fund të vitit 2019, Bashkimi Europian është investitori më i rëndësishëm i huaj në Rusi, me një stok total investimesh prej më shumë se 310 miliardë eurosh. Vendosja e sanksioneve për Rusinë do të dëmtojë rëndë ekonominë e këtij vendi, por, në mënyrë të pashmangshme, dëme do të pësojnë edhe interesat e investitorëve europianë aty.
Për shembull, gjiganti britanik i sektorit të karburanteve British Petroleum vendosi të shesë kuotat prej 19.5% të aksioneve në kompaninë ruse të prodhimit të naftës, Rosneft, me një vlerë prej 25 miliardë dollarësh amerikanë. Një hap të ngjashëm ndërmori edhe kompania holandeze Shell, që vendosi të dalë nga investimet në sektorin e gazit natyror, ku kishte hyrë në partneritet me kompaninë ruse Gazprom.
Një nga grupet më të rëndësishme bankare të Europës Perëndimore, i ekspozuar në tregjet e Lindjes, ka qenë tradicionalisht Raiffeisen. Grupi austriak ka një pjesë të rëndësishme të aktivitetit të vet në Rusi, por edhe në Ukrainë. Raiffeisen Bank është banka e dhjetë më e madhe në Rusi, me 16 miliardë euro asete dhe vepron në tregun rus prej vitit 1996.
Lufta dhe sanksionet ndaj Rusisë e kanë vendosur Raiffeisen përballë dilemës për të dalë nga tregu rus. Megjithatë, largimi nga Rusia, në një kohë kur pothuajse të gjithë investitorët perëndimorë po largohen, nuk është një operacion i thjeshtë. Banka ka ekspozime prej qindra miliona eurosh tek institucionet ruse që janë goditur nga sanksionet, që mund të përkthehen në humbje potenciale.
Nga ana tjetër, largimi i investitorëve të huaj ka shkaktuar rënie të vlerës së aksioneve, ndërsa gjetja e blerësve në një situatë të tillë është e vështirë. Një dalje e shpejtë nga Rusia mund të bëhet vetëm duke marrë përsipër humbje të mëdha.
Ngjarjet në Rusi kanë sjellë rënie të fortë të vlerës së aksioneve të Raiffeisen, por edhe të grupeve të tjera bankare të ekspozuara aty, si Societe Generale apo UniCredit. Vlerësime për vijimësinë e aktivitetit në Rusi po kryen edhe Banka Intesa Sanpaolo.
Disa prej prodhuesve më të rëndësishëm të automjeteve në botë, si grupi Volkswagen dhe ai Toyota, kanë ndërprerë aktivitetin e prodhimit të automjeteve në fabrikat e veta në Rusi, ndërsa shumica e grupeve të tjera kanë ndaluar shitjet në tregun rus.
Në krahun tjetër, banka ruse Sberbank, një nga investitorët më të rëndësishëm rusë në tregjet financiare europiane, shpalli daljen nga tregjet e Bashkimit Europian. Brenda Eurozonës, Sberbank është e pranishme në Austri, Kroaci dhe Slloveni, ndërsa jashtë Eurozonës, ajo ka prani në Çeki, Hungari, Serbi dhe Bosnjë-Hercegovinë.
Pas sanksioneve që shtetet e Unionit vendosën ndaj kompanive ruse, kjo bankë u përball me tërheqje masive të parave nga llogaritë saj, që e çuan në një kolaps likuiditeti.
Veç dëmit të madh financiar, lufta në Ukrainë po shkakton edhe probleme të mëdha operacionale. Për shembull, grupi Raiffeisen i kishte të vendosura sistemet IT të grupit në Ukrainë, për shkak të kostove më të ulëta të mbajtjes së tyre. Shpërthimi i luftës e detyroi grupin vjenez të ndërmerrte një back up/dublim urgjent në Vjenë. Raiffeisen ka filialin e vet në Ukrainë që prej vitit 2005 dhe vitin e kaluar Raiffeisen Ukrainë zotëronte mbi 3 miliardë euro asete.
Prodhues të rëndësishëm të automjeteve, si Volkswagen apo BMW po përballen me vështirësi të shumta, sepse shumë prej pjesëve të këmbimit për këto automjete prodhohen në fabrika të vendosura në Ukrainë.
Grupet bankare që veprojnë në zonat e konfliktit
Një nga kanalet e lidhjes së tregut financiar vendas me konfliktin Rusi-Ukrainë është fakti që disa prej grupeve bankare, të cilat kanë filialet e tyre në Shqipëri, janë të pranishme edhe në Rusi apo Ukrainë. Këtu përfshihen grupet bankare Raiffeisen, Intesa Sanpaolo dhe OTP.
Për shkak të goditjes që konflikti ka shkaktuar në aktivitetet e këtyre grupeve në Rusi dhe Ukrainë, ato janë përballur me rënie të vlerës së aksioneve të tyre në Bursa. Megjithatë, mbështetur në analizat e deritanishme të institucioneve rregullatore, humbjet që ato mund të pësojnë në tregjet e mësipërme nuk do të vendosnin në rrezik stabilitetin e grupeve bankare në tërësinë e tyre.
Të marra së bashku, të tria këto grupe zotërojnë rreth 33% të aseteve të sektorit bankar shqiptar në fund të vitit 2021. Me blerjen e pritshme të Alpha Banka Albania nga OTP, pjesa e tregut vlerësohet në rreth 37.5%. Për vitin 2021, filialet e Raiffeisen, Intesa Sanpaolo dhe OTP në Shqipëri arritën rezultate fitimprurëse, ndërsa të gjitha raportojnë tregues të mirë të kapitalizimit, likuiditetit dhe cilësisë së aktiveve./Monitor.al