Blerta Kraja, ish- zv.drejtoresha e Doganave, e vlerëson punën e britanikëve në aspektin e konsulencës, por jo çdo këshillë e tyre është zbatuar. Lidhur me koncesionin e skanimit, Kraja tregon prapaskenën që luhej në Doganë për t’i hapur rrugë koncesionit.
Ju keni qenë për pak kohë zëvendësdrejtore e përgjithshme e Doganave. Keni bashkëpunuar në atë periudhë edhe me “Crown Agents”. Pse nuk funksionoi kontrata me anglezët?
Po, kam punuar në atë detyrë nga 17 janari 2014. Për rreth një vit e dy muaj, drejtoja po ashtu Departamentin Administrativ në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave. Kam pasur një bashkëpunim të ngushtë me punonjësit e “Crown Agents”. Secili mund të japë vlerësimet e tij për atë kontratë. Personalisht mendoj që ekipi i “Crown Agents” ka bërë një punë të lavdërueshme, si në drejtorinë e përgjithshme, edhe në degët doganore. Në publik thuhet shkurt se ata nuk e arritën objektivin kontraktor. Në fakt, rritja e të ardhurave doganore me 1% të GDP-së, nuk lidhet direkt dhe vetëm me punën e tyre. Ata kanë pasur një rol këshillimor, vendimet merreshin sërish nga administrata doganore. P.sh., “Crown” kishte ngritur 8 grupe të lëvizshme në terren, të përbërë secili nga dy punonjës të doganave, një polic dhe asistohej grupi nga një këshilltar i “Crown”. Maksimumi që bënte grupi i lëvizshëm, kur konstatonte shkelje doganore, mbante një procesverbal dhe ia linte për vijimin e procedurës kryetarit të degës doganore. Ishte kompetencë e tij, që ta linte në fuqi procesverbalin, ta ndryshonte apo ta shfuqizonte. Po ashtu, “Crown” ka këshilluar mjaftueshëm për përmirësimin e strukturës organizative për ta bërë më fleksibile, për t’i dhënë një rol tjetër drejtorisë juridike në unifikimin e zbatimit të normave juridike për të gjitha degët doganore, etj. Jo çdo këshillë e “Crown” është ndjekur, apo ende sot ka mjaft materiale të tyre ende të pazbatuara.
Pra, ju po thoni se nuk ishte faji i “Crown Agents”, që nuk u rritën të ardhurat?
Mendoj se kontrata është konceptuar pa lidhjen shkakësore mes veprimit të tyre dhe rezultatit të pritshëm. Në këtë hapësirë është parashikuar veprimi i vendosur i administratës doganore. E nga ana tjetër ka një akumulim shkaqesh për të cilat rriten apo pakësohen të ardhurat doganore, kështu që asnjë statistikë nuk mund ta marrim bardhezi, pa analizuar faktorë të tjerë si: paketa fiskale, politika fiskale në rajon, që nxit apo dekurajon kontrabandën, bursa ndërkombëtare, tregu i brendshëm, konsumi, tendenca migratore, etj.
Si e gjetët doganën?
Siç u gjet i gjithë shteti. Pra, me ndërtime pa leje, me taksa të papaguara, me vendime gjyqësore të formës së prerë të paekzekutuara, me borxhe të akumuluara, me punonjës të pezulluar që në gusht 2013, etj. Pra puna e parë ishte kthim në ligjshmëri, duke ndërmarrë hapat për deklarimin e shtesave pa leje, duke kthyer në detyrë 24 punonjës që kishin vendim gjyqësor të formës së prerë për kthim në detyrë, që në vitet 2006-2007. Me një fjalë, duke ndrequr me shpejtësi e brenda mundësive çfarë ishte e domosdoshme për një funksionim normal. Në fakt, kur gjen situata të tilla alternativat janë dy: të merresh kush e bëri këtë dhe pse ose t’i hysh punës dhe ta përmirësosh situatën. Gjithë ekipi u përpoq që të ndreqte dhe të rivitalizonte çfarë ishte e mundur, për shembull duke intensifikuar marrëdhëniet me përfaqësuesit e Delegacionit të Bashkimit Europian, duke i dhënë jetë ndërtimit të dy doganave të reja, që ishin stopuar, si projekte, pikërisht: doganës së Hanit të Hotit dhe doganës së përbashkët në Morinë. Një çudi më vete ishte gjetja e porteve pa dogana, p.sh., në Portin e Sarandës nuk kishte doganë, po ashtu në Portin e Shëngjinit, dogana ndodhet jashtë portit. Nuk është më e mirë situata as në dy portet e tjera. Mbase duhet të jetë në vëmendjen e qeverisë, që kur negociohen kontratat koncesionare apo ndërtimore për Portet apo Aeroportet, të ketë një territor të dedikuar pa pagesë për Doganën, siç veprohet për Policinë apo për autoritetet portuale.
Emri juaj është përmendur edhe në lidhje me kontratën koncesionare të skanimit. Si u bë rinegocimi i saj?
Shpresoj të jetë përmendur për mirë. Po, bashkë me kolegë të tjerë jemi përpjekur pas një analize disaplanëshe nga aspekti i Kushtetutës apo i akteve me natyrë ndërkombëtare, që ta rinegociojmë në gjysmën e parë të vitit 2014, kontratën ekzistuese për ta kthyer atë konform Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit (MSA), si dhe akteve të Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT), ku ne jemi shtet anëtar. Në çastin që pala koncensionare e dërgoi çështjen në Arbitrazh ndërkombëtar, asistenca ligjore dhe rinegocimi ka vijuar nga persona të tjerë të Ministrisë së Financave dhe të Avokaturës së Shtetit.
Përsëri, edhe me kontratën e rinegociuar biznesi, pavarësisht, nëse kryhet ose jo skanimi, paguan 22 euro për deklaratë doganore. A është kjo kontratë në përputhje me MSA-në dhe OBT-në?
Kam frikë se sërish jemi në të njëjtat ujëra, pra që nuk është kthyer në hullinë e akteve ndërkombëtare, ku të paguhej si tarifë shërbimi, vetëm për ato biznese që me analizë risku duhet të skanohen. Po besoj kishte dhe plot alternativa të tjera për rinegocim, si: Shteti ynë mund ta blinte skanerin e instaluar dhe të lidhte një kontratë mirëmbajtje afatgjatë me shoqërinë prodhuese, etj.
Së fundi, ju kam parë emrin në raportin e KLSH-së për të zhdëmtuar pagesat e inxhinierëve kinezë, që riparuan skanerin e kontejnerëve “Nuctech” në Portin e Durrësit…
Po. Fatkeqësisht ka disa kohë, që skaneri i kontejnerëve më del në ëndërr. Situata është absurde, se nënshkrimi im nuk është i mjaftueshëm ligjërisht për të përmbyllur një procedurë prokurimi, pasi është kompetencë e titullarit të autoritetit kontraktor organizimi dhe realizimi i gjithë procedurës. Unë s’kam qenë drejtore e përgjithshme e Doganave, e megjithatë nuk e di kush është kujdesur që të më rëndojë dhe dëmtojë padrejtësisht. Gjithsesi, ka shumë persona që e dinë, se që në vitin 2008, Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave i është dhuruar një skaner urë (i lëvizshëm) me rreze X, i prodhuar dhe i instaluar nga shoqëria “Nuctech”. Ky dhurim është bërë në kuadër të një marrëveshje ndërkombëtare, mes qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Popullore të Kinës, e më pas dy palët kontraktore, të autorizuara nga qeveritë respektive, përkatësisht: “Nuctech Company” dhe Doganat kanë nënshkruar një kontratë të detajuar, ku pala “Nuctech” merr përsipër ta instalojë sistemin e skanimit dhe ta mirëmbajë për një vit gjatë garancisë, si dhe nga ana tjetër, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave merr përsipër të garantojë të drejtën e pronësisë intelektuale dhe sekretet tregtare, teknologjitë e fshehta “know how” dhe të mos i bëjë publike pa miratimin me shkrim të kësaj shoqërie. Pas periudhës së garancisë, mirëmbajtja, shërbimet, etj., do të negocioheshin në mënyrë miqësore mes palëve. Rezultoi se që nga viti 2012, dikush e ka nxjerrë jashtë përdorimit këtë skaner, që është shumë i kushtueshëm, ose për interesa të kalimit të kontejnerëve pa kontroll, ose për t’i hapur rrugë kontratës koncensionare, ose të dyja bashkë. Gjithsesi përfaqësuesit e kësaj shoqërie në fillim të vitit 2014 kanë ardhur në takim te ministri i Financave dhe nga ana e tij, me të drejtë u është kërkuar që ta investigojnë në vend nëse ky skaner riparohet apo ka dalë përgjithmonë jashtë përdorimit. Nga ana e inxhinierëve kinezë është paraqitur një akt konstatimi me listën e punimeve dhe çmimet përkatëse. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, për të luftuar kontrabandën që mund të kryhej me kontejnerë, e riparoi këtë skaner me të ardhurat e krijuara nga sanksionet doganore. Skaneri punoi rregullisht nga dhjetori 2014 e në vijim. Bizneset janë skanuar aty pa pagesë, se është pajisje në pronësi të Doganës.
Tani, nga larg, si e shihni veprimtarinë e doganave?
Ka shumë punë për t’u bërë. Atje ka një studim shumë të mirë të realizuar nga ekspertët e “Crown Agents” për një bashkim eventual Dogana – Tatime. Ka shumë institute të reja juridike në fushën doganore, që presin të zbatohen, si: deklarimi i drejtpërdrejtë, pra pa ndërmjetësimin e agjentëve doganorë, dhënia e statusit operatorë ekonomikë të autorizuar, zhdoganimi lokal, etj. Me një fjalë, dogana përballet me një sfidë teknologjike, për t’u modernizuar dhe për të mundësuar tregtinë ndërkombëtare mesa më pak pengesa burokratike. Mirëpo doganën e bëjnë njerëzit, që e përdorin këtë teknologji moderne. Rëndësi të dorës së parë merr një status më i mirë për doganierët, për pagesat e orëve jashtë orarit, të udhëtimit, të fjetjes larg vendbanimit, etj. Një doganier i keqshpërblyer apo i keqtrajtuar nga eprorët është vulnerabël për sjellje devijante me biznesin. Dikush me të drejtë vijon dhe evokon si shembull të paarritshëm të doganierit, rilindësin Naim Frashëri, dikur në doganën e Sarandës. Duket si shembull utopik në këto kohë të turbullta, kur është e vështirë të punosh drejt dhe me përkushtim.
Intervistoi: Zamir Alushi, Gazeta Shqip